PRIZREN
Granit Begolli merr drejtimin e Lirisë
9 December, 2021 @11:42
Duke qenë se Liria është heshtur në aspektin mediatik këtë stinor, si me webfaqe ashtu edhe me rrjete sociale, është dashur që të kuptohet nga vetë trajneri që ka marrë drejtimin e skuadrës së qytetit të dytë më të madh në Kosovë!
Granit Begolli është trajner i ri i Lirisë së Prizrenit, që si duket ka ndarë rrugët me Gëzim Hasin, pasi drejtoi ekipin përgjatë pjesës vjeshtore të stinorit.
Vetë Begolli ka bërë të ditur në llogarinë personale të Facebookut se ka arritur marrëveshje me ekipin e Lirisë, duke e quajtur si njër ndër klubet më të mëdha të futbollit kosovar.
“Me kënaqësi dua t’ju njoftoj se që nga sot do të jem pjesë e një ndër klubeve më të mëdha të futbollit kosovar, KF Liria. Bashkë me asistentin tim Blerim Bunjaku do të udhëheqim ekipin me përgjegjësi për arritjen e objektivave. Forca Liria!” ka shkruar Begolli në llogarinë e tij personale.
Foto: Kryetari i Lirisë Qemal Krasniqi (mes) dhe Granit Begolli (djathtas)
Kujtojmë, Begolli nisi stinorin në Ligë të Parë Grupi A si trajner i Vëllaznimit. Derisa kuqezinjtë ishin nën drejtimin e tij arritën kreun dhe qëndronin aty me 5 fitore e 1 barazim. Por, pas krizës financiare Begolli u largua.
Ai kishte drejtuar Vëllaznimin në fitore 0-1 ndaj Lirisë në Përparim Thaçi. Në ndërkohë ishte edhe si analist në emisionin sportiv EkipiA.
Tash, ai Lirinë e merr në pozitë të gjashtë të renditjes së Ligës së Parë Grupi A. Prizrenasit kanë arritur pesë fitore, 4 barazime e 5 humbje përgjatë vjeshtës. Gjithashtu janë eliminuar nga Kupa e Kosovës.
Në xhirot e mbetura, Liria do të duhet të përfundojë së paku në njërën nga dy vendet e para për të shpresuar Superligën për stinorin tjetër.