KROOS

REUTERS
Guardiola dallon nga tjerët
8 July, 2013 @9:28
Josep Guardiola është duke punuar shumë për të arritur që vizioni i tij të futet në kokë të futbollistëve të Bayern Munchenit, kampionit europian dhe të Gjermanisë.
Mesfushori gjerman i Bayernit, Toni Kroos, ka thënë se puna me Guardiolën është shumë më ndryshe në krahasim me Heynckesin.
“Stërvitjet me të janë të mira. Ai flet shumë me lojtarë - individualisht, ai mirret me ne, një nga një. Mendoj se kështu ia shpjegon më mirë futbollistëve vizionin e tij. Thjesht, kjo është mënyra e punës së tij,” ka thënë njeriu që ka shënuar gjashtë gola në 24 paraqitje me Bayernin në stinorin e fundit.
“Në disa pika është më mirë që të flasësh individualisht me futbollistin. Shumë më mirë sesa ta kritikosh para krejt ekipit,” ka dhënë pak më shumë detaje Kross, i cili nuk dihet nëse do të jetë në formacionin bazë të Bayernit nën urdhërat e Guardiolës.
Katalonasi Guardiola i është kthyer futbollit pas një stinori pauzë. Më parë ai kishte udhëhequr Barcelonën për katër vite duke fituar tre herë La Ligan spanjolle dhe dy herë Ligën e Kampionëve.