DUKAGJINI - GJILANI

Foto: SC Gjilani
Haxhihamza shpëton Dukagjinin, Gjilani ndalet në Klinë
30 October, 2021 @15:05
Me rezultat 1-1 (Ahmed Januzi 34’ / Gerhard Progni 86’) është mbyllur dueli i luajtur sot në Klinë mes Dukagjinit dhe Gjilanit.
Dy skuadrat e drejtuara nga ish-lojtarë të mirënjohur, Armend Dallku e Ismet Munishi, u detyruan që në fund t’i ndajnë pikët mes tyre.
Në pjesën e parë u shënua vetëm një gol. Sulmuesi me mjaft përvojë në futbollin kosovar, Ahmed Januzi, shënoi për 1-0 të klinasve në minutën e 34’. Me atë rezultat u mbyll pjesa e parë e ndeshjes.
Megjithatë, epërsia e vendasve dhe shpresa për fitore zgjatën deri në minutën e 86’, kur Gerhard Progni, që po kalon një sezon fantastik, shënoi për rezultatin 1-1. Asistues te ky gol ishte Yll Hoxha.
Krejt në fund të ndeshjes, në minutën e 4’ shtesë, për mysafirët nga Gjilani u akordua një penallti, nga e cila dështoi të shënonte Gerhard Progni. Penalltinë e Prognit e priti Kenan Haxhihamza, portieri vendas, e kështu ndeshja u mbyll me rezultat të barabartë.
Me këtë barazim, Gjilani ka 21 pikë pas 12 ndeshjeve, kurse Dukagjini ka tubuar 11 sosh.