10 VJET
Heronjtë e Juventusit
14 July, 2016 @19:59
Po në këtë datë në vitin 2006, për shkak të incidentit të njohur si ‘Calciopoli’, klubi i Juventusit u dënua me largim nga Serie A, duke bërë kështu që sezonin e ardhshëm 2006/2007 skuadra nga Torino ta luante në Serie B. Për më tepër, Juventusi do ta fillonte kampionatin me -6 pikë. I ashtuquajturi ‘Calciopoli’ u zbulua nga policia italiane pas përgjimeve të telefonatave, në të cilat ishin dëgjuar marrëveshje mes klubeve për trukim të ndeshjeve. Përveç Juventusit, dënime morrën edhe Milani, Reggina, Fiorentina e Lazio, mirëpo ato u dënuan vetëm me minus pikë në fillim të sezonit dhe jo largim nga liga.
Shumë lojtarë të Juventusit nuk pranuan që të luanin në Serie B dhe vendosën të largoheshin nga klubi torinez në merkaton e verës. Nga Juventusi u larguan Zlatan Ibrahimovic, Lilian Thuram e Patrick Viera mirëpo ajo që ra në sy ishte besnikëria e disa lojtarëve të Juventusit.
Alessandro Del Piero, Pavel Nedved, Gianluigi Buffon, David Trezeguet, Mauro Camoranesi e Giorgio Chiellini ishin ata që nuk e tradhëtuan skuadrën e tyre, duke bërë kështu që emrat e tyre të renditen përgjithmonë në listën e legjendave të “Zonjës së Vjetër”.Madje portieri Buffon e mbrojtësi Chiellini edhe pas 10 viteve janë ende pjesë e rëndësishme e Juventusit, kurse Pavel Nedved ndodhet në stafin drejtues.