Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

BALLKANI - SHKUPI

HISTORIKE: Ballkani në grupet e UEFA Conference League!

HISTORIKE: Ballkani në grupet e UEFA Conference League!


25 August, 2022 @21:50

Një arritje fantastike për Ballkanin dhe gjithë futbollin kosovar!

Në një atmosferë fantastike sportive në “Fadil Vokrri”; skuadra kampione në fuqi e Kosovës e ka eliminuar sonte Shkupin nga Play Off-i i Conference League, për t’u kualifikuar kështu në fazën grupore të UEFA Conference League, një arritje historike për futbollin tonë!

Pas fitores 1-2 në Shkup javën e kaluar, Ballkani sonte e mposhti Shkupin 1-0 në Prishtinë, për ta arritur kështu fazën grupore të Conference League.

Gjithçka filloi në mënyrë fenomenale për Ballkanin, me Shkupin që mbeti me 10 lojtarë në fushë që nga minuta e 2’ e takimit. Mbrojtësi shkupjan, Xhelil Abdulla, u përjashtua nga loja pas ndërhyrjes si lojtar i fundit ndaj Albion Rrahmanit, e kjo i dha “zemër” Ballkanit, që e dominoi pjesën e parë.

Rastin më të mirë në pjesën e parë e pati Ermal Krasniqi kah fundi i saj, por gjuajtja e tij u prit nga portieri shkupjan dhe pjesa e parë u mbyll pa gola.

FORMACIONET STARTUESE

Dominimi dhe loja e matur e Ballkanit vazhdoi edhe në pjesën e dytë, e “qershia mbi tortë” ishte goli i Meriton Korenicës për 1-0 në minutën e 70’, që i dha siguri Ballkanit për pjesën e mbetur të ndeshjes dhe pothuajse e vulosi kualifikimin e Ballkanit, me Shkupin që ishte i pafuqishëm të bënte diçka.

Ndërkohë, edhe pas golit të shënuar Ballkani nuk u ndal së sulmuari dhe pati edhe raste tjera për shënim, por rrjetën më nuk e gjeti dhe ndeshja u mbyll 1-0, mjaftueshëm për kualifikimin e suharekasve.

Vlen të përmendet që kryetrajneri i Ballkanit, Ilir Daja, arrin ta kualifikojë një skuadër shqiptare për herë të dytë në grupe të garave evropiane. Më herët gjatë karrierës së tij ai kishte arritur ta dërgonte Skënderbeun e Korçës në grupet e UEFA Europa League.

Kundërshtarët e fazës grupore Ballkani do t’i kuptojë nesër, kur edhe mbahet shorti i grupeve të Conference League.


 
Të gjitha lajmet nga Conference League