NDAHEN RRUGËT
Humbja nga Prishtina! Drita largon Akis Vavalisin
27 November, 2023 @21:29
Pas humbjes së sotme nga Prishtina, Drita ka ndarë rrugët me trajnerin grek të ekipit, Akis Vavalis. Në njoftimin e posa lëshuar nga FC Drita është bërë e ditur se rezultati i ndeshjes së sotme ka bërë palët që të analizojnë situatën dhe për të kërkuar zgjidhje më të mirë për klubin.
“Mbyllim bashkëpunimin me trenerin Akis Vavalis. Klubi jonë FC DRITA dhe treneri Akis Vavalis kan ndërpre bashkëpunimin me marrëveshje të dyanshme. Rezultati i ndeshjes së sotme ishte ajo që uli palët për të analizuar situatën dhe për të gjetur një zgjidhje më të mirë për klubin.
Nga të dy taboret u dakorduan që është momenti që të jetë një energji e re në krye të skuadrës. Klubi jonë FC DRITA e falënderon trenerin Vavalis dhe stafin e tij për përkushtimin dhe profesionalizmin e treguar gjatë kësaj periudhe dhe ju dëshiron suksese.” — ka shkruar FC Drita në njoftimin e publikuar pak më parë.
Me humbjen e sotme, Drita ka regjistruar disfatën e tretë sezonale në Superligë, ndërsa ka mbetur 10 pikë larg Ballkanit lider, derisa këta të fundit kanë edhe një ndeshje më pak të zhvilluar. Drita llogaritej si ekip i vetëm në Superligë që do të mund të ndalte ecurinë perfekte të Ballkanit në stinorin 2023/24, por tashmë duket se “intelektualët” po mbesin larg tyre, kur ende s’është arritur as gjysma e stinorit.
Me largimin e Vavalisit nga posti, Drita është bërë ekipi i katërt në Superligë këtë stinor që po e largon trajnerin me të cilin nisi stinorin. Para Dritës, trajnerët i kanë larguar: Prishtina, Malisheva dhe Liria.