FA CUP FINAL
I pari për Xhakën, Arsenali fiton Kupën FA
27 May, 2017 @20:24
Vjen trofeu i parë për Granit Xhakën te Arsenali!
Skuadra e drejtuar nga Arsene Wenger sot korri sukses në finalen e Kupës FA ndaj Chelseat, takim ky i cili dhuroi mjaft emocione dhe plot raste për shënim.
Epërsia e Arsenalit erdhi nga Alexis Sanchez në fillim të ndeshjes, një gol ky që ishte tejet i kontestueshëm për shkak të lojës me dorë nga kiliani. Rastet e Arsenalit për gol vazhduan gjatë gjithë pjesës së parë, pjesë kjo që mund të mbyllej edhe me epërsi me të thellë sikur pjesa ofansive e Arsenalit të mos shpërdoronte para portës së Chelseat.
Në pjesën e dytë loja ishte më e ekuilibruar, ndërsa 20 minutat e fundit ishin shumë interesante. Fillimisht Victor Moses u përjashtua nga loja pas 2 kartonëve të verdhë brenda 11 minutave, mirëpo ky përjashtim nuk e ndali Chelsean nga gjetja e golit të barazimit. Barazimi erdhi nga spanjolli Diego Costa, i cili shënoi për një gol i cili mund të evitohej sikur në portë të ishte një portier më kualitativ se Ospina.
Gjithsesi, barazimi zgjati shumë pak, me Arsenalin që shënoi për 2-1 pothuajse pas 2 minutave. Ishte Ramsey ai që i dha epërsinë skuadrës së Wengerit pas një asistimi fenomenal nga Olivier Giroud. Ky i fundit ishte inkuadruar në lojë pak sekonda para asistimit dhe efekti i tij në lojë ishte i menjëhershëm.
Në vazhdim të ndeshjes gola nuk pati dhe titulli në fund u fitua nga Arsenali, titull ky që është i 13 në histori dhe bën që Arsenali të jetë skuadra me më shumti FA Cup të fituara në Angli. Deri sot, United dhe Arsenali e ndanin vendin e parë me nga 12 FA Cup të fituar.
Për t’u përmendur nga ky takim është edhe Granit Xhaka, i cili sot e mori medaljen e parë si lojtar i Arsenalit. Sa i përket Mustafit, ai mungoi për shkak të lëndimit.