Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

DEKLARATA PAS NDESHJES

Ilir Daja: Pjesa e parë perfekte, nuk ka përfunduar asgjë

Foto: FCBallkani/ fb

Ilir Daja: Pjesa e parë perfekte, nuk ka përfunduar asgjë


11 July, 2023 @23:45

Trajneri i Ballkanit Ilir Daja ka vlerësuar pjesën e parë të ndeshjes si perfekte, pasi që ekipi i tij mposhti favoritin Ludogorets në ndeshjen e parë të raundit të parë kualifikues për Ligë të Kampionëve.

Trajneri 56-vjeç që fitoi dy tituj kampioni me Ballkanin radhazi dhe shkroi historinë e futbollit ekipor në Kosovë, kur çoi Ballkanin në debutimin e tyre evropian në fazën grupore të Ligës së Konferencës në stinorin e kaluar, ka theksuar se duke ditur çfarë kundërshtari ka përballë, nuk është e lehtë që në 70% të kohës të jesh mbi të dhe për këtë ka falenderuar lojtarët, të cilëve u kishte kërkuar ta linin shpirtin në fushë.

Ilir Daja

“Pjesa e parë perfekte. Kundërshtari s’kishte asnjë shans. Qarkullimi i topit i mirë, ndërsa me 5 ndërrimet e tyre ramë fizikisht. Por, këta djem nuk u dorëzuan asnjëherë. Kanë karakter. E kam thënë në mënyrë figurative që ta japin shpirtin në fushë dhe kështu ndodhi. Nuk është pak që ndaj një kundërshtari të tillë të dominosh 70% të kohës, duke e ditur çfarë kundërshtari ke përballë,” ka thënë shefi i shtabit teknik të suharekasve pas fitores.

Ballkani mposhti Ludogoretsin 2-0, ndërsa ndeshja e kthimit luhet më 19 korrik në Razgrad të Bullgarisë. Ludogorets është kampion i shumëfishtë i Bullgarisë dhe është ekipi pa konkurrencë në dekadën e fundit atje, ndërsa dy herë ka arritur edhe fazën grupore të Ligës së Kampionëve.

“Atje duhet të jemi edhe më të mirë se këtu. Përballë, mos të harrojmë, kemi ekip me cilësi të lartë. Nuk shkojmë për të mbrojtur rezultatin, pasi që ky është vetëm gjysmë hapi, duhet ende punë. Rezultati është i rëndësishëm pas 180-minutave në këto ndeshje, jo pas 90-minutave të para,” ka thënë ndër të tjera Daja.◼️


 
Të gjitha lajmet nga FFK Superliga