OPINION
Infrastruktura me facebook e petarda
Shkruan: LUAN MORINA
2 September, 2017 @17:32
Gjilani me rrethinë ka ma shumë banorë se Andorra bashkë me San Marinon. Si qytet i kalon të dyja veçmas. Edhe a i keni pa zhveshtoret, banjot në stadiumin pa-emër të Gjilanit?! Mos të flasim për tribunat, për pjesën tjetër të stadiumit!!!
Andorra e San Marino kanë fitu ma shumë pikë se Kosova nëpër Evropë. Kanë shënu ma shumë gola se ekipet kosovare, edhe në listën e UEFA-s kanë marrë ma shumë pikë këtë sezon. Mirëpo, neve nuk na pengon me i nënçmu t’dyjat, përfshirë edhe Belasicën e Strumicës me t’cilët knaqej t’u qesh një pseudo-komentator i pasluftës kur luante Interi. Pak kilometra larg Strumicës, në më pak se një muaj është zhvilluar edhe SuperKupa e Evropës në futboll.
Sportet në rrezik, të luajnë jashtë vendit
Edhe, shumë nga ne kanë mund të dëshmojnë rregullin, infrastrukturën dhe mbi të gjitha pastërtinë sidomos në tualetet për tifozë! Tualetet për tifozë, derisa në stadiumet tona, edhe tualetet për vetë lojtarët ngjasojnë shumë me tualetet në stacionin e autobusëve në secilin qytet të cilat janë dëshmi e kulturës sonë si popull.
Maqedonia ka pasur një të kaluar pak a shumë të ngjashme me neve, përjashto një të ashtuquajtur nga vet institucionet tona dhe ndërkombëtare – konflikt i armatosur. Edhe këtë e kanë pasur në një pjesë të caktuar, edhe më vonë se ne. Megjithatë, ata janë rikuperuar dhe kanë arritur të sjellin ndeshjen më të madhe ekipore në botë (përjashto finalen e Ligës së Kampionëve).
E ne nuk po mund të gjejmë një stadium në krejt Kosovën për m’i organizu ndeshjet e kombëtares në futboll. Edhe lëre futbollin, tash rrezikojnë edhe sportet tjera të largohen nga arenat tona si rezultat i infrastrukturës bërllog!
Shembulli matanë kufirit
Hajde kthehemi edhe njëherë në Maqedoninë e cila ka pasur ekipe kampione të Evropës në hendboll për femra para më shumë se një dekade (gati dhjetë vjet pas pavarësisë së tyre) dhe për meshkuj – këtë vit! Neve në hendboll na mposhtin ekipe anonime nga vende që nuk kanë as një kafshore traditë në këtë sport – Portugalia e Irlanda.
Vetëm llafe se çfarë do të bëjmë në Evropë dhe asgjë tjetër. Nuk kemi stadiume, të cilat edhe nëse rregullohen, ngelçat e teknikës e gjimnazit shkojnë i thyejnë për shkak të mllefit të mbledhur nga gjithçka që i rrethon.
Problemi nuk është tek institucionet, as tek lojtarët, as tek trajneri të cilin një anonim që nuk di ndoshta definicionin e kryefjalës e kallëzuesit vendos ta largoj nga kombëtarja sepse ka fituar tri-katër ndeshje në Sony me ekipin e zemrës që ka miliona në kasafortë. I njëjti që shkon në stadium sa për t’u shfryer me fjalë të ndyta, për të sharë këdo që i shënon gol falë punës së palodhshme, për të thyer karriget, e për të hedhur shishe plastike e petardë.
Tekefundit stadiumet rregullohen për një popull që ka kulturë, disciplinë, dhe dashuri të sinqertë sportive. Jo për huliganë dhe ‘ekspertë’ komentesh fejsbuku. Përtacia dhe injoranca e institucioneve drejt sportit dhe infrastrukturës sportive nuk mund të arsyetohet. Aq më pak kur individ përtac sundojnë organet kryesore të sportit me dekada.
A e meritojmë izolimin?
E investimet në sport? Private? Dy kampionë të Kosovës në futboll janë të shuar, që të dyja ekipe private. E këndej kah Gilani, dy familje që kanë stilizuar me jehonë ekipet e qytetit, sot jetojnë vetëm në kujtime nga pak tifozë besnik.
Sporti dhe infrastruktura tek ne është e vdekur! Ngjashëm si kultura e qytetarëve të thjeshtë kundrejt sportit!
Nuk meritojmë ndërkombëtarizimin, njëjtë sikur nuk meritojmë heqjen e vizave! Kultura jonë sportive, nga më i vogli e tek më i madh është shpellore!
Uh nime, hajde kur po kualifikohemi për kampionat evropian në futboll? A po e shkarkojmë trajnerin, kryetarin e federatës?
Më së miri të ngarkojmë në vete pak kulturë sportive, e tjerat vijnë me kohë.