STAR OF THE GAMEWEEK II
Drilon Hazrollaj (Malisheva) - Ylli i javës (2)
22 August, 2023 @11:14
Edhe në javën e dytë epiteti i lojtarit më të mirë të xhiros në Superligë i shkon një lojtari të Malishevës. Pas Arlind Veliut që e fitoi çmimin për herë të parë në xhiron e parë, sot FFK ka bërë të ditur se lojtari më i mirë i xhiros së dytë të Superligës është një tjetër lojtar i Malishevës, Drilon Hazrollaj.
Ky i fundit, ka shënuar hat-trick dhe ka asistuar një herë në fitoren e thellë të Malishevës ndaj Fushë Kosovës në fundjavën që e lamë pas. E Malisheva e drejtuar nga Senad Alirifa është lidere e Superligës, ku bashkë me kampionin aktual Ballkanin, janë ekipet e vetme që kanë fituar dy ndeshjet e para të stinorit.
“Çmimi ‘Ylli i javës’ është i pari për mua dhë sinqerisht jam shumë i lumtur. Kur shpërblehesh si më i miri i xhiros shtohet edhe motivi i punës. Falënderoj bashkëlojtarët dhe shtabin teknik të cilët më ndihmuan që unë të kem një performancë të tillë dhe të fitoj këtë çmim. E kemi filluar kampionatin mbarë dhe uroj që të vazhdojmë këtë ecuri pozitive edhe në xhirot e ardhshme”, ka thënë Drilon Hazrollaj për faqen zyrtare të FFK-së.