KUPA E KOSOVËS
Istogu eliminohet nga Kupa, Dukagjini kualifikohet në finale
8 April, 2021 @19:55
Skuadra e Dukagjinit të Klinës është kualifikuar në finale të Kupës së Kosovës pa e zhvilluar ndeshjen e dytë kthyese.
Vendimi është marrë nga ana e Komisionit të Garave të FFK-së, i cili doli në këtë përfundim pas shqyrtimit të ankesës së Dukagjinit për parregullsinë e paraqitjes së lojtarit të Istogut Erion Ceta, i cili ështe aktivizuar me dy kartonë të verdhë.
Komisioni i garave pasi bëri shikimin e protokolleve zyrtare të ndeshjeve të Kupës së Kosovës, vërtetoi se lojtari Erion Ceta ka qenë i ndëshkuar me kartonë të verdhë në ndeshjen KF Besa – KF Istogu, e zhvilluar me datë 16.12.2020 si dhe në ndeshjen KF Istogu – KF A&N e zhvilluar me 18.03.2021, andaj i njëjti nuk ka pasur të drejtë loje në ndeshjen e parë të gjysmëfinales së Kupës së Kosovës përballë Dukagjinit.
Bazuar në Propozicionin e Garave, ndeshja e parë gjysmëfinale e Kupës së Kosovës e zhvilluar me 07.04.2021 KF Istogu – KF Dukagjini regjistrohet me rezultat zyrtar 0-3 në favor të KF Dukagjini, ndërsa KF Istogu eliminohet nga garat e mëtejme të Kupës së Kosovës 2020/2021.
Ndeshja e parë e zhvilluar në Istog, kishte përfunduar me rezultat 1-2 në të mirë të Dukagjinit.
Dukagjini në finale të Kupës do ta pret fituesin e duelit Prishtina - Llapi.