1/2: ISTOGU - DUKAGJINI
Fitore në Istog, Dukagjini pranë finales!
7 April, 2021 @16:53
Dukagjini i Armend Dallkut një hap larg finales së madhe!
Skuadra nga Klina sot triumfoi 1-2 (Ragip Mazrekaj 75’ / Altin Merlaku 28’, Elton Basriu 77’) si mysafir i Istogut në duelin e parë mes tyre në kuadër të gjysmëfinaleve të Kupës së Kosovës, për t’iu afruar kështu shumë finales së kësaj gare.
Golin e parë të ndeshjes e shënoi Altin Merlaku i klinasve në minutën e 28’. Pas një krosimi të Fatlum Gashit nga goditja e dënimit, topi fillimisht shkoi te Labinot Jashanica, e më pas te Merlaku, i cili nuk gaboi nga një distancë jo fort e madhe.
Rezultati mbeti 0-1 deri në minutën e 75’, kur Ragip Mazrekaj i vendasve barazoi në 1-1, ndërkohë që 5 minuta para golit të shënuar, “trofat” e shpërdoruan një penallti.
Goditja e Qëndrim Jahajt të vendasve nga pika e bardhë (70’) u prit nga portieri gjakovar, Altik Muhaxhiri, i cili bëri që epërsia e Dukagjinit të mbetej 0-1, të paktën edhe për 5 minuta.
Gjithsesi, Dukagjini nuk u dorëzua dhe përkundër golit të pranuar, reagoi mjaft mirë, duke shënuar për 1-2 në minutën e 77’. Ishte Elton Basriu ai që me kokë shënoi për rezultatin përfundimtar 1-2 dhe ia mundësoi Dukagjinit kthimin në Klinë me fitore.
Kështu, Dukagjini ndeshjen e dytë në shtëpi e nis me një epërsi të konsiderueshme dhe mund të thuhet që është afër finales së Kupës.
Ndeshja e kthimit mes këtyre dy skuadrave luhet më 21 prill në Klinë..