RRITEN TROFTAT
Istogu me gjah të plotë nga Drenica
27 September, 2014 @17:07
Mark Milicaj ka qenë yll i ndeshjes së sotme në Skenderaj, ku ekipi i tij Istogu ka arritur të shënojë fitore me rezultat 2-3.
Goleada e 45 minutave të para
Istogu ia nisi mirë ndeshjes, kur heret në lojë, pas një goditjeje këndi Granit Arifaj shënoi për 0-1.
Vendasit u këndellën shpejtë dhe barazuan përmes penalltisë së fituar nga Lorik Maxhuni, që e konkretizoi, Taulant Dajaku.
Kuqezinjtë e drejtuar nga Tahir Lushtaku morrën posedimin dhe nisën dominimin, shënuan golin e dytë - por pak para se të përfundojë pjesa e parë, në skenë del sulmuesi i Troftave, Mark Milicaj - që barazon 2-2.
Raste të mira nga të dyja palët, mbetën pa u konkretizuar në ndërkohë, me theks të veçantë kur Kushtrim Lushtaku i Drenicës nuk u tregua i saktë para portës së Sanel Bandicit të Istogut.
Vendos Milicaj
Sidoqoftë, krejt në fund, Milicaj kishte përgatitur befasinë për shikuesit vendas në Bajram Aliu, kur kapi topin për të shënuar pas disa dëbimeve në zonë të drenicakëve.
Kjo qe fitorja e tretë e Istogut prej tre ndeshjeve prej se në krye të ekipit erdhi trajneri Nazmi Rama, që ka sjellur pikë maksimale për ekipin nga Perëndimi i Kosovës.
Drenica në anën tjetër, ka regjistruar disfatën e parë të stinorit para tifozëve të vetë, derisa ka numëruar të katërtën në përgjithësi në këtë stinor.
Me fitore, Istogu ka bërë një hap të madh, duke kaluar në pozitën e katërt të tabelës së klasifikimit.
REZULTATET, NDESHJET E RADHËS DHE TABELA AKTUALE