Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

PRISHTINA 1-0 DRENICA

Januzi në sekondat e fundit, mban Prishtinën në garë për titull

Festa e madhe e futbollistëve të Prishtinës, pas golit të fitores nga Ahmed Januzi/ Foto: prishtinafc.com

Januzi në sekondat e fundit, mban Prishtinën në garë për titull


3 July, 2020 @22:10

Ahmed Januzi ka shënuar golin e 13 të stinorit për Prishtinën në sekondat e fundit të ndeshjes ndaj Drenicës, për t’ia sjellë skuadrës së tij fitoren dhe vazhdimin e ndjekjes së liderit, Dritës.

Prishtina mposhti me mjaft vështirësi Drenicën sonte në Fadil Vokrri, derisa ish lojtari i kombëtares Januzi ka dhënë golin në minutën e 94-të të takimit për fitoren 1-0 të bardhekaltërve ndaj drenicakëve, Prishtina 1-0 Drenica [Ahmed Januzi 90+4].

Goli i Januzit erdhi pas një topi të dërguar nga Tun Bardhoku në zonë të rreptësisë në sekondat e fundit të duelit, ku 15 lojtarë në ato momente ishin në 16-metërshin e Drenicës.

Pjesa e parë kaloi me dy raste të theksuara të Meriton Korenicës, ku në të parin (35’) gjuajti jashtë, ndërsa të dytën e priti Arion Ymeri (37’).

Në pjesë të dytë trajneri i Prishtinës Armend Dallku futi në ndeshje edhe një sulmues, pasi që Oto John dhe Ahmed Januzi ndiheshin jo të lirë në lojë nga mbrojtja e kuqezinjëve mysafirë, që sot drejtoheshin nga ndihmës-trajneri Brahim Vojvoda. Shiu gjithashtu e bënte të veten.

TABELA AKTUALE

Kreshnik Uka solli sado pak ndërrim në lojë të bardhekaltërve. Ai krijoi hapësirë për dyshen standarde të sulmit.

Pastaj Endrit Krasniqi (80’) tentoi nga ndërprerja për të goditur portën mysafire. Pak mbi transverale shkoi topi.

Sulmet e Prishtinës vazhduan edhe brenda 10 mintuëshit të fundit, por ndaleshin nga mbrojtja e Drenicës, që rezultuan me kartona të verdhë për Përparim Osmanin (82’) dhe Arion Ymerin (85’).

E kur mendohej se Drenica po merrte pikë të artë në luftë për shpëtim të stinorit në Superligë, në skenë doli Januzi, që me kokë shënoi për fitore dhe solli gëzim të jashtëzakonshëm në kryeqytet duke vazhduar ndjekjen e liderit.

Prishtina me këtë fitore mbetet 1 pikë larg Dritës në krye të tabelës. Ndërsa në xhiron e radhës do të ketë punë edhe më të vështirë, ku i shkon Gjilanit. Drenica do të kërkoj fitore ndaj Ferizajit.


 
Të gjitha lajmet nga FFK Superliga