PARA NDESHJES
Jemi gati!
29 March, 2015 @12:42
Sot është ditë vendimtare për kombëtaren e Shqipërisë. Kuqezinjtë do të dalin përballë Armenisë në stadiumin Elbasan Arena, për ta zhvilluar ndeshjen e katërt grupore në kualifikimet për EURO 2016.
Para këtij takimi, Shqipëria gjendet në pozitën e tretë në grup me 4 pikë, derisa Armenia është e fundit në grup me vetëm një pikë në tre ndeshje.
Dueli i katërt kundër armenëve
Shqipëria gjatë historisë së saj është përballur tre herë me reprezentacionin e Armenisë. Nga këto tre ndeshje bilanci mbetet në baraspeshë me një fitore për secilën, dhe një barazim.
Ndeshja e parë kundër armenëve u pat zhvilluar më 9 nëntor të vitit 1996 në kuadër të kualifikimeve për Botërorin e 98-ës, dhe kishte përfunduar me rezultat të barabartë 1-1. Goli e kuqezinjëve e kishte shënuar Bajram Fraholli, derisa armenët golin e barazimit e patën shënuar në minutën e 90’, për t’u kthyer me një pikë nga stadiumi Qemal Stafa në Tiranë.
Ndeshja kthyese kishte kaluar edhe më keq për kombëtaren tonë, pasi u patëm mposhtur me rezultat të thellë 3-0, mirëpo megjithatë në përballjen e fundit që u pat zhvilluar më 14 gusht të vitit 2013, e që edhe përbërja e lojtarëve nuk dallon shumë nga sot, patëm fituar me rezultat 2-0 në miqësore, kurse golashënues ishin Valdet Rama dhe Ergys Kaçe.
Paqartësi në formacion!
Ndryshe nga herët e kaluara, kur përzgjedhësi Gianni De Biasi gati 24 orë më parë e formulonte formacionin startues, për këtë ndeshje ka shumë dilema. Njëra prej arsyeve kryesore është qendërmbrojtësi Mërgim Mavraj, i cili megjithëse është në kampin kuqezi, ende nuk dihet saktë nëse do të luaj apo jo për shkak të lëndimit.
E dyshimtë është edhe paraqitja e Arlind Ajetit dhe Naser Alijit, të cilët presin përgjigje nga FIFA për të pasur drejtë loje në këtë ndeshje.
Në rast të mungesës të këtyre futbollistëve, gjasat më të mëdha për të qenë partner i Lorik Canës në mbrojtje i ka Debatik Curri, megjithëse nuk anashkalohet as ndonjë surprizë e mundshme nga tekniku italian.
Një tjetër futbollist i përfolur shumë për 11-she është Shkelzen Gashi. Futbollisti është në formë të lartë dhe nuk po ndalet së shënuar me skuadrën e Baselit, por pozita e tij si sulmuesi i dytë, nuk po i përshtatet aspak formacionit të përdorur deri më tani nga De Biasi, dhe kjo e ka futur në një tjetër dilemë italianin.
Deklaratat para ndeshjes
Gjatë kampit kuqezi janë mbajtur disa konferenca për shtyp, ku disa nga futbollistët e kombëtares kanë pasur rastin t’i shprehin mendimet e tyre për duelin kundër armenëve.
Në konferencën e parë, kur edhe u shpall lista e lojtarëve për këtë duel, përzgjedhësi De Biasi tregoi synimin e tij kryesor, që ishte fitorja.
Portieri kryesor i Shqipërisë, Etrit Berisha, tha se mbanë përgjegjësi të madhe si gardian i portës kuqezi, derisa Taulant Xhaka ishte i pajtimit edhe për një barazim, në mënyrë që të vazhdojnë gjasat për ta siguruar kualifikimin në EURO 2016.
Lista e të ftuarve nga De Biasi.
Lista e të ftuarve te Armenia.
TABELAT AKTUALE TË GRUPEVE NË KUALIFIKIME PËR EURO 2016.