Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

KOSOVË - ÇEKI

Jemi të parët në grup!

Foto: TOPSPORTI / D.SH

Jemi të parët në grup!


7 September, 2019 @16:58

Edhe pse ndoshta vetëm për pak orë pasi që Anglia e zhvillon ndeshjen e saj sonte, Kosova momentalisht është lidere e Grupit A kualifikues drejt EURO2020!

Në takimin e zhvilluar sot mes Kosovës dhe Çekisë në “Fadil Vokrri” të Prishtinës, djemtë e Kosovës përkundër 4-5 mungesave nga formacioni bazë, arritën të shënojnë fitore me rezultat 2-1, për t’u ngritur kështu në kuotën e 8 pikëve në Grupin A. Përndryshe, kjo është ndeshja e 15 me radhë që Kosova e mbyll pa humbje!

Goditja e parë në portë erdhi nga mysafirët, një goditje e plogësht në minutën e 5’ të ndeshjes, që nuk paraqiti probleme për Muriçin, ndërsa 11 minuta më vonë çekët e gjetën golin e epërsisë.

Pas disa kombinimeve të shkurta në krahun e djathtë, topi u pasua në zonë te Patrik Schick, i cili i papenguar shënoi me të majtën për 0-1.

Megjithatë, reagimi i Kosovës ishte i shpejt. Një pasim i bukur nga Bersant Celina, e gjeti Elbasan Rashanin në krah, i cili avancoi mjaft mirë drejt zonës dhe e gjeti Vedat Muriqin, që mjeshtërisht shënoi për 1-1 në minutën e 20’ të ndeshjes.

Pas golit të barazimit, Kosova në pjesën e parë rrezikoi një herë përmes Rrahmanit me kokë (24’) dhe Rashanit (goditje e lehtë, 29’), kurse çekët rastin më të mirë e patën në minutën 32’, kur pas një topi të humbur të Besar Halimit në mesfushë, ata dolën në një kundërsulm tejet të volitshëm për gol, por për fat të mirë të Kosovës, Aro Muriç reagoi mirë dhe rezultati mbeti 1-1, rezultat me të cilin u mbyll edhe pjesa e parë.

EURO 2020 - KUALIFIKIMET

E në pjesën e dytë, fillimisht për Kosovën rrezikuan Rrahmani me kokë (60’) e Celina nga distanca (61’), pak para se të vinte goli i fitores.

Goli i fitores për Kosovën erdhi në minutën e 66’, me Mërgim Vojvodën që shënoi me të majtën pas goditjes nga këndi që u ekzekutua me shumë dinakëri nga Valon Berisha, i inkuadruar në pjesën e dytë.

Në vazhdim të ndeshjes, çekët rrezikuan disa herë, sidomos pas minutës së 80’, mirëpo reparti defansiv i Kosovës nuk ra për asnjë moment dhe ndeshja u mbyll me fitore 2-1, fitore shumë e madhe për Kosovën, që e mban bindshëm në garë për ta realizuar ëndrrën e madhe, kualifikimin në EURO2020!

Për t’u përmendur nga ky takim padyshim që është paraqitja fantastike e Vedat Muriqit, i cili përveç golit të shënuar, ishte edhe lojtari më i dalluar i Kosovës në çdo aspekt. Prizrenasi shtatlartë luftoi për çdo top, duke qenë në secilin cep të fushës, e fatmirësisht paraqitja e tij u kurorëzua me një gol të tij personal dhe me një fitore të skuadrës.


 
Të gjitha lajmet nga