FAZA PARAKUALIFIKUESE
Kampioni i Kosovës parakualifikimet e Ligës së Kampionëve do t’i luajë në Ishujt Faroe
8 April, 2021 @16:01
Kryeqyteti i Ishujve Faroe, Tórshavn, do të jetë nikoqir i organizimit të turneut parakualifikues së Ligës së Kampionëve për edicionin 2021/22.
Kampioni i Kosovës për këtë edicion në Superligë, do ta fitojë të drejtën e pjesëmarrjes në fazën parakualifikuese të Ligës së Kampionëve, e cila është faza fillestare e garës më të fortë në Evropë.
Në fazën parakualifikuese do të marrin pjesë 4 skuadra, ku përveç kampionit të Kosovës janë edhe kampionët nga Ishujt Faroe, Andorra dhe San Marino.
Faza parakualifikuese e Ligës së Kampionëve do të mbahet gjatë muajit qershor të vitit 2021 dhe do të luhet në formë të turneut me sistem të eliminimit me vetëm një ndeshje, duke filluar nga raundi i ndeshjeve gjysmëfinale.
Raundi i gjysmëfinales do të luhet më 22 qershor 2021, ndërsa finalja do të luhet më 25 qershor 2021. Të gjitha ndeshjet do të luhen në stadiumin Tórsvøllur të kryeqytetit të Ishujve Faroe, Tórshavn, i cili ka kapacitet prej 5 mijë ulëseve. Ky stadium gjithashtu është edhe ‘shtëpia’ e përfaqësueses së Ishujve Faroe, e cila ndeshjet si vendase i luan aty.
Fituesi apo kampioni i fazës parakualifikuese, do të kualifikohet më pas në fazën e parë të kualifikimeve të Ligës së Kampionëve, ku marrin pjesë gjithsej 36 skuadra.
Shorti, ku do të mësohen çiftet gjysmëfinaliste të fazës parakualifikuese të Ligës së Kampionëve, do të hedhet më 8 qershor të vitit 2021.
Deri më tani, në fazën parakualifikuese është konfirmuar pjesëmarrja e kampionit të Ishujve Faroe, skuadrës Havnar Bóltfelag, ndërsa në shtetet e tjera pritet përfundimi i kampionateve për t’i mësuar kampionët si pjesëmarrës të tjerë. Në Kosovë, gara për titull aktualisht është duke u zhvilluar mes Dritës, Ballkanit dhe Prishtinës.
Kujtojmë se kampionja aktuale e Kosovës, Drita, si pjesëmarrëse e edicionit të fundit në Ligën e Kampionëve nga Kosova, ishte mposhtur në finalen e fazës parakualifikuese me rezultat zyrtar 0-3 nga skuadra e Irlandës Veriore, Linfield, për shkak të mos zhvillimit të ndeshjes pas infektimit të lojtarëve me COVID-19, ndërsa në gjysmëfinale e kishte mposhtur skuadrën nga Andorra, Inter Club D’Escaldes, me rezultat 2-1.
Për ndryshe, skuadrat që eliminohen nga faza parakualifikuese e Ligës së Kampionëve, vazhdojnë pjesëmarrjen në garat evropiane nga faza e dytë e kualifikimeve në Europa League.