LLAMKOS KOSOVA

Kampioni i ri i Kosovës
26 May, 2014 @14:41
Skuadra vushtrriase, Llamkos Kosova, ka fituar titullin e parë të kampionit në histori të saj.
Ekipi vushtrrias përkundër se ka rrezikuar shumë në javët e fundit të Superligës, ka mbledhur veten në xhirot e fundit dhe me fitore ndaj Drenicës si mysafir në fundjavën që shkoi siguroi titullin e parë në histori të klubit.
Bilanci përfundimtar i Llamkos Kosovës, një xhiro pa përfunduar stinori është 18 fitore, 7 barazime dhe 7 disfata, që kanë sjellë 61 pikë për klubin - për të garantuar titullin kampion këtë stinor 2013/14.
E nëse kujtohemi vetëm një stinor më parë, kjo skuadër ka qenë në luftë për mbijetesë dhe pasi që siguroi barazhin kishte mposhtur Deçanin në ndeshjen e Play-Outit për të siguruar edhe një stinor në elitë - dhe atë që doli të jetë stinor historik.
Duke nisur nga trajneri Ismet Munishi, ndihmësi i tij Bekim Shotani dhe tërë futbollistët, në veçanti Semir Zeneli që u dallua me golat e shënuara dhe me cilësinë e tij që ndërronte lojën e të kaltërve - çdo futbollist veç e veç ka qenë pjesë e një suksesi që do të shkruhet me shkronja të arta në Vushtrrinë që ka festuar gjatë titullin e parë të kampionit në histori të klubit.
Kampionja e dy stinorëve të fundit, Prishtina, ka përfunduar stinorin në vend të dytë, derisa në xhiron e fundit, do të udhëtojnë pikërisht në Vushtrri për tu përballë me ekipin që ua ndali ecurinë e titujve me radhë.