NË GJILAN
Kampioni mposht Dritën, ruan kreun
6 April, 2016 @15:50
Ferronikeli shënoi fitore të rëndësishme ndaj Dritës sot në Gjilan, ndërsa golat erdhën vetëm në 20 minutëshin e fundit, kur zëvendësuesi Haxhi Shala gjeti rrjetën gjilanase.
Në pjesë të parë Mark Milicaj kishte rast të mirë për Ferronikelin, por portieri i Dritës Betim Halimi mbron mrekullueshëm këtë rast për të bërë të njëjtën edhe pas 30 minutave lojë edhe njëherë.
Drita mbeti me 10 lojtarë pak para fundi të pjesës së parë kur Armend Kastrati u skuq nga referi pas një fauli ndaj një lojtari të Ferronikelit.
Në pjesë të dytë, njëri ndër lojtarët më të dalluar të Dritës, Alban Shillova, qëllon shtyllën e mysafirëve, por gol nuk kishte.
E në 20 minutat e fundit pas futjes së Haxhi Shalës në lojë, Ferronikeli shënon dy herë shpejtë për të siguruar fitoren dhe për të ruajtur kreun e klasifikimit.
Në xhiron e radhës Ferronikeli pret Prishtinën, ndërsa Drita udhëton në Hajvali.