MBAJNË HAPIN
Kampioni s’lejon befasi!
24 September, 2023 @19:45
Ballkani ka shënuar edhe fitoren e katërt kampionale sot, duke e mposhtur Malishevën në Suharekë me rezultat 3-2 [Gentrit Halili 21’, Nazmi Gripshi 29’, Qëndrim Zyba 75’ - Drilon Hazrollaj 7’, Altin Aliu 77’].
Në fakt, Malisheva e Senad Alirifës shënoi e para me lojtarin e dalluar të tyre dhe reprezentuesin e shpresave të Kosovës, Drilon Hazrollaj. Por, vendasit nuk pritën shumë dhe pas minutës së njëzet të ndeshjes me golat e Gentrit Halilit që u asistua nga Armend Thaqi dhe të Nazmi Gripshit, mbyllën pjesën e parë në epërsi.
E në pjesë të dytë kur Qëndrim Zyba shënoi për 3-1, edhe pse mysafirët u kthyen në lojë me golin e shpejt të Altin Aliut, Malisheva nuk arriti të bëj më shumë dhe u desht të pajtohet me humbjen e tretë sezonale, të dytën me radhë në dy xhirot e fundit.
Ballkani me pesë ndeshje të luajtura pas gjashtë xhirosh, ka 13 pikë sikurse lideri Llapi. Ndërsa Malisheva me humbjen e tretë të pësuar, mbetet në 9 pikë pas gjashtë ndeshjeve të zhvilluara.
Në duelin e radhës, Ballkani shkon te Fushë Kosova, ndërsa Malisheva pret liderin, Llapi.