Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

FITORE E MADHE E FERONIKELIT'74!

Rikthimi i madh i Feronikelit’74 ndaj Lirisë, Rexhepi triumfon ndaj ish-ekipit

Pamje nga arkivi

Rikthimi i madh i Feronikelit’74 ndaj Lirisë, Rexhepi triumfon ndaj ish-ekipit


24 September, 2023 @18:14

Trajneri tetovar Xhengis Rexhepi me ekipin e tij Feronikeli’74 ka bërë rikthimin më të madh në Superligë të Kosovës këtë stinor, nëse jo për më shumë. Edhe pse ekipi i tij ishte në disavantazh të madh pas vetëm 13 minutash lojë, kur Liria kishte nisur gjithçka perfekt, është rikthyer ngadalë për të marrë fitoren e madhe në fund të ndeshjes, Liria 3-5 Feronikeli’74 [Junior Petrus 2’, Festim Alidema 7’, Prins Tjiueza 13’pen. — Razack Bashare 35’, Jakup Berisha 59’, 67’, Florent Avdyli 60’, Robert Rrahmani 90+3].

Liria e nisi shumë mirë duelin. Përkrahur nga mijëra tifozë në tribuna, Junior Petrus (2’) nisi gëzimin e madh, që nuk zgjati më shumë se një pjesë për bardhezinjtë e drejtuar nga Nedim Yigit. Festim Alidema shënoi golin e parë të tij për Lirinë shpejt (7’), ndërsa penalltinë pak më vonë e konkretizoi Prins Tjiueza (13’) për të nisur festën secili! Ishte 3-0 pas 13 minutash dhe te Feronikeli’74 nuk dukej dritë.

TABELA AKTUALE

Por, një gol i shënuar 10 minuta para fundit të pjesës së parë nga Razack Bashare u dha shpresa mysafirëve, që kishin vetëm një fitore deri tash në Superligë. E atë që s’e paramendoi askush në ulëset e Përparim Thaçit, e bënë mysafirët. Jakup Berisha (59’, 67’) dhe Florent Avdyli (60’) përmbysën gjithçka brenda dhjetë minutave! Gëzimi i madh i Xhengis Rexhepit që në stinorin e kaluar kishte futur Lirinë në Superligë me lojtarët dhe stafin. Ekipi nga Drenasi po shkonte drejt fitores së madhe dhe përmbysjes gjigande.

Derisa Liria ende e hutuar me atë çka po ngjante, krejt në fund ka qenë mesfushori Robert Rrahmani (90’+3) që vulosi ndeshjen në Prizren. Feronikeli’74 mori fitoren e madhe, ndërsa futbollistët vendas dolën kokulur nga stadiumi, derisa tribunat kishin nisur të zbrazen më herët.

Fitorja, bën që Feronikeli’74 të ngritet në pozitën e tetë në tabelë pas gjashtë xhirosh, duke pasur gjashtë pikë, ndërsa Liria me po aq pikë, dhe me një fitore të vetme deri tash, është e gjashta. Në xhiron që vjen, Liria i shkon Gjilanit, ndërsa Feronikeli’74 tash dukshëm i motivuar pret Dritën.


 
Të gjitha lajmet nga FFK Superliga