ARSYETIMI PËR SHAQIRIN
Klopp s’rrezikon, Shaqiri s’udhëton në Beograd
5 November, 2018 @13:04
Liverpool ka lënë Xherdan Shaqirin jashtë ekspeditës së ekipit që udhëton për në Beograd, ku ekipi anglez do të luajë ndaj Crvena Zvezdës të martën, 6 nëntor 2018.
Liverpool dëshiron që të menjanojë çdo mundësi që të shqetësohet futbollisti me origjinë shqiptare në Beograd, prandaj ka vendosur që mos ta thërras atë.
Pas golit të Shaqirit me Zvicrën ndaj Serbisë në “Rusia 2018” ai kishte festuar duke bërë me dorë shqiponjën me dy krena, që simbolizon flamurin shqiptar.
Për këtë gjest, Shaqiri ishte dënuar me 10 mijë franga zvicerane nga FIFA.
“Kemi dëgjuar dhe lexuar spekulimet dhe pritjet që do t’i kishte Shaq në Beograd. Edhe pse nuk kemi pasur idenë çka mund të ndodhë aty, ne dëshirojmë të shkojmë të fokusuar 100% në ndeshje futbolli dhe nuk dëshirojmë të mendojmë për asgjë tjetër pos futbollit,” ka thënë Jurgen Klopp në deklaratën e tij, duke shtuar, “Për këtë arsye, Shaq nuk është në ekip për këtë ndeshje dhe ai e ka pranuar këtë vendim si dhe e ka kuptuar atë.”
Përndryshe, Liverpool bën pjesë në Grupin C të Ligës së Kampionëve këtë stinor, ku është lider me gjashtë pikë, para Napolit që ka 5, PSG-së që ka 4 dhe Zvezdës që është e fundit me 1 pikë të vetme.