KOMUNIKATË
Komunikatë nga Flamurtari
20 October, 2017 @21:55
Përmes një komunikate për media, klubi i Flamurtarit i ka kërkuar falje opinionit sportdashës për incidentin që ndodhi sot në takimin mes Flamurtarit dhe Vëllaznimit.
Komunikata e plotë:
“KF Flamurtari nga Prishtina i kërkon falje opinionit sportdashës në Kosovë ,e në vecanti KF Vëllaznimit nga Gjakova për ngjarjen e sotme në ndeshjen Flamurtari-Vëllaznimi. Me këtë rast duam të njoftojmë opinonin se personat të cilët kanë shkaktuar këtë ngjarje të shëmtuar futbollistike por edhe njerëzore, nuk kanë të bëjnë me klubin tonë. Ne si klub distancohemi nga veprimet e tilla të cilat e dëmtojnë jo vetëm klubin tonë por edhe futbollin në përgjithësi. Jemi të vendosur që në asnjë mënyrë kjo ngjarje të mos ndikoj në raportet në mes të klubit tonë dhe atij të Vëllaznimit të Gjakovës për të cilët shprehim keqardhjen tonë.
Para këtij takimi kemi bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme në mënyrë që kjo ndeshje të zhvillohet në frymën e fair –playt dhe në fakt sjellja e të gjithë protagonistëve në fushë ka qenë jashtëzakonisht korrekte nga të dyja palët. Me këtë rast kemi pësuar për shkak të disa individëve të caktuar që ishin të pranishëm në tribuna, për të cilët dyshojmë se ishin kundër vetë ekipit të Flamurtarit. Kërkojmë edhe nga organet e rendit që të marrin masat e duhura për shkaktarët e këtij incidenti. Krejt në fund shprehim edhe njëherë indinjatën e thellë për këtë ngjarje të shëmtuar dhe në të njëjtën kohë distancohemi nga cdo veprim i tillë.
KF Vëllaznimit nga Gjakova jo vetëm që i kërkojmë falje, por kërkojmë që të thellojmë edhe më shumë bashkëpunimin tonë dhe së bashku të luftojmë këto dukuri negative, ndërsa neve na mbetet që të organizohemi dhe të bëhemi edhe më të fuqishëm në mënyrë që e mira ta mund të keqen.”