FLORENTI
Kosova, alternativa më e mirë për Hadërgjonajn
4 October, 2016 @19:55
Përfaqësuesja e Kosovës po i provon të gjitha rrugët për ta sjellur në përbërjen e saj futbollistin e talentuar, Florent Hadërgjonaj.
Hadërgjonaj luan në krahun e djathtë të mbrojtjes, pikërisht aty ku Kosova ka nevojë më së shumti, pasi aktualisht te Dardanët futbollisti i vetëm që luan në këtë pozitë është Fanol Përdedaj.
Hadërgjonaj aktualisht është pjesë e përfaqësueses U21 të Zvicrës, me të cilën do të ketë një ndeshje më 7 tetor, kundër Norvegjisë U21.
Ai, në një intervistë për mediat zvicerane ka pranuar se është në kontakt me Kosovën, mirëpo akoma nuk ka vendosur se për kë do të luajë në të ardhmen.
“Kam pasur kontakte me Kosovën nëpërmjet federatës dhe trajnerit. Ata kanë provuar gjithçka. Por për mua është e qartë se së pari do ta përfundojë rrugëtimin tim me ekipin U21 të Zvicrës. Pas kësaj gjithçka do të jetë e hapur. Kam tre rrugë përpara, Zvicrën, Shqipërinë dhe Kosovën, që në fakt është një luks. Por natyrisht, nuk do të jetë lehtë që të vendosi,” tha ai, shkruan faqja zvicerane 4-4-2.
Vendimi i Hadërgjonajt mund të vijë edhe pas ndeshjes së 7 tetorit, Zvicër U21 - Norvegji U21, pasi në rast të humbjes së Zvicrës, kjo do të ishte ndeshja e fundit e Hadërgjonajt me fanellën U21 të Zvicrës, për shkak se helvetikët do t’i humbnin gjasat për kualifikim në fazën finale të Kampionatit Europian.
Sido që të jetë, Kosova parashihet si alternativa më e mirë për futbollistin, duke pasur parasysh konkurrencën e fortë te Zvicra me lojtarët si Stephan Lichtsteiner, Michael Lang dhe Silvan Widmer, si dhe konkurrencën e drejtpërdrejtë në Shqipëri me futbollistin më të mirë të saj, Elseid Hysajn.