BARAZ

Kosova e nis me një pikë
5 September, 2016 @22:38
Kosova pas një loje të shkëlqyeshme ka arritur të siguroj rezultat të barabartë kundër Finlandës në Turku. Ndeshja është mbyllur me rezultat 1-1. Vendasit kishin kaluar në epërsi me golin e Aranjuuri në minutën e 18të.
Valon Berisha barazoi nga penalltia në minutën e 60të, penallti e cila u akordua pas ndërhyrjes së Lam në Bernard Berishën.
Ajo që vlen të përmendet është se Kosova ka befasuar shumëkë me lojën e saj. Duke pasur parasysh që selektori Albert Bunjaki, nuk e ka ditur deri 4-5 orë para ndeshjes së kush ka të drejtë loje, duke pritur konfirmimet nga FIFA - kjo pikë bëhet dyfish më e vlefshme teorikisht.
Bernard Berisha dhe Milot Rashica kanë pasur paraqitje fantastike, derisa është dalluar qetësia e Valon Berishës me përvojë në mes të fushës.
Në anën tjetër, Hekuran Kryeziu, që luante rolin e lidhësit të mesfushës me mbrojtje, është treguar në këtë ndeshje si një tru i vërtetë i përfaqësueses.