PARA NDESHJES
Kosova U21 nën drejtimin e Celinës
Teksti: FFK
6 June, 2017 @10:12
Reprezentacioni U21 i Kosovës është akomoduar dje në hotel “International Prishtina” në kuadër të përgatitjeve për ndeshjen e dytë kualifikuese për Evropianin 2019, kundër Norvegjisë, e cila do të zhvillohet më 12 qershor në Drammen, në orën 19:00.
Kosova U21 dje pasdite ka mbajtur seancën e parë stërvitore në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë, aty ku do t’i zhvillojë edhe tri stërvitje tjera para nisjes për në Norvegji, të premten në mëngjes.
Në mungesë të përzgjedhësit, Rafet Prekazi, i cili ndodhet në Tiranë për obligime zyrtare, trajnerit Erdogan Celina i asistoi trajneri i Kosova U17, Fadil Berisha dhe trajneri i portierëve Naser Prapashtica.
Në stërvitjen e parë u punua me intensitet paksa më të vogël, por tek lojtarët u vërejt vullnet dhe dëshirë e madhe për punë.
Kryesisht u punua në aspektin tekniko-taktik, por edhe në lojën sulmuese dhe atë mbrojtëse.
Stërvitjen e përcolli nga afër edhe drejtori teknik Michael Nees.
Stërvitjen e radhës Kosova U21 e zhvillon sot në orën 17:00.
Lista e Kosovës U21:
Visar Beka, Ardit Nika, Betim Halimi, Kamer Krasniqi, Ardian Ismajli, Drilon Tejeci, Rron Statovci, Arian Kabashi, Besfort Kolgeci, Rron Broja, Albert Dabiqaj, Kushtrim Shabani, Ylber Maloku, Florent Hasani, Almir Ajzeraj, Bersant Celina, Adenis Shala, Mendurim Hoti, Ardit Gashi dhe Valmir Sulejmani. |