PAS SIGURIMIT TË SUPERLIGËS
Intelektualët shpresojnë në Dritë që ndriçon për 70 vjetor
5 June, 2017 @13:22
Faqja zyrtare e tifozëve të Dritës në Facebook, Intelektualët, ka kërkuar që për nder të 70 vjetorit të klubit që e përkrahin ata, ekipi të konkurrojë fuqishëm për kreun e klasifikimit në stinorin që vjen por edhe në Kupë të Kosovës.
“Këtë vit Drita feston 70 vjetorin e themelimit andaj shpresojmë që tani e tutje krenaria e qytetit të shëndritë ashtu siç i ka hije,” ka shkruar ndër të tjera njoftimi i tyre.
“Tani fillon sezoni i ri, presim ardhje të reja, lojtarë që ia dinë vlerën fanellës së veshur me histori 70 vjeçare,” ka vazhduar komunikata e Intelektualëve.
Drita, në tre stinorët e fundit ka arritur të sigurojë Superligën vetëm përmes ndeshjeve të barazhit. Ndërsa tash e tutje me kryesinë e re nga janari i këtij viti, adhuruesit e flaktë të ekipit po kërkojnë suksese nga klubi.