SHPRESAT DARDANE, PËRSËRI BARAZOJNË NDAJ BULLGARËVE
Kosova U21: Përsërim barazim!
17 November, 2023 @14:59
Djelmoshat e drejtuar nga Afrim Tovërlani nuk kanë arritur përsëri të mposhtin bashkëmoshatarët bullgarë në përballjen kualifikuese për EURO 2025. Pas barazimit 1-1 në Sofje, sot Kosova U21 ka barazuar 2-2 me Bullgarinë U21 në përballjen e luajtur në “Zahir Pajaziti” të Podujevës, në një mot me shi.
Bullgaria U21 ishte dy herë në epërsi, ndërsa Kosova U21 barazoi dy herë përmes sulmuesit të Dritës, Ardit Tahiri - që me prekjet e tij tundi dy herë rrjetën e Hrsitovit, për 2-2. Në golin e parë Tahiri u asistua nga kapiteni Valon Zumberi, ndërsa në të dytin nga Florian Haxha që kishte depërtuar në zonë nga e majta për ta gjetur atë.
Pas pesë ndeshjeve, Kosova U21 ka 5 pikë në Grupin D kualifikues, derisa Bullgaria U21 ka 6. Kosova U21 aktualisht është e katërta, ndërsa kualifikimi duket larg, duke ditur cilësinë e udhëheqësve të grupit, Polonia U21 dhe Gjermania U21.