LEOTRIM KRASNIQI
Krasniqi: Do ta ruajmë nderin dhe punën tonë deri në fund
5 April, 2021 @19:03
Trajneri i Besës, Leotrim Krasniqi, pas ndeshjes së humbur me rezultat të thellë 5-1 ndaj Gjilanit, tha se skuadra e tij kishte dy fytyra në këtë ndeshje.
“Sot ekipi ishte me dy fytyra. Në pjesën e parë besoj që u paraqitëm mirë, krijuam raste dhe në pjesën defansive ishim të vendosur mirë. Por në pjesën e dytë nuk ishim mirë të vendosur, pranuam gola të lehta prej gabimeve tona dhe normalisht që rezultati është i thellë. Për këta lojtarë normalisht që nuk është lehtë të durohet 90 minuta kur rezultati është aq i thellë”, tha ai.
Ndërkaq lidhur me gjendjen e Besës në tabelë dhe ndeshjeve të mbetura, trajneri Krasniqi premtoi se si ekip do të japin maksimumin në cdo ndeshje për të ruajtur nderin dhe punën e ekipit.
“Në të gjitha ndeshjet Besa do të hyjë për të dhënë maksimumin. Besa nuk do të hyjë në kalkulime e as në pazare të askujt hiç. Do të ruajmë nderin dhe punën tonë, dhe nuk do t’i nënshtrohemi asnjë ekipi”, përfundoi ai.