ERGYS KAÇE

Kthehet si hero
23 January, 2014 @14:27
Talenti i madh i kombëtares shqiptare, Ergys Kaçe, është rikthyer si hero në fanellën e ekipit të tij PAOK.
Kaçe ka qenë në formacionin bazë të ekipit të tij, duke nisur nga minuta e parë e ndeshjes në takimin për Kupë të Greqisë ndaj Iraklisit.
Përkundër se ai në 5 minutat e para të ndeshjes u fishkëllua nga tifozët e tij dhe i gjithë publiku grek, më pas ata e duartrokitën Kaçen 20 vjeçar.
Korçari me lëvizjet e tij ka mahnitur të pranishmit në fitoren prej 5-1 ndaj Iraklisit, derisa me kohë gjatë ndeshjes është duartrokitur gati për çdo prekje të topit.
PAOK ka mposhtur Iraklisin me rezultat të përgjithshëm 6-1 dhe ka kaluar në raundin e katërt të Kupës greke.
Kaçe ka qenë shënjestër e kritikave të mëdha dhe gati përzënies nga Greqia për shkak se kishte postuar në rrjete sociale një fotografi të tijën me fanellë të UÇK-së.
Me këtë rast ai ka pasur përkrahjen e jashtëzakonshme të trajnerit të tij holandez në PAOK, Huub Stevens.