MËRGIM MAVRAJ
Kujdes nga Spanja, mos të pësojmë si Kosova
7 October, 2016 @14:10
Qendërmbrojtësi i kombëtares shqiptare, Mërgim Mavraj, i cili në ndeshjen e fundit me Lihtenshtajnin e mbajti edhe shiritin e kapitenit, pas ndeshjes foli për mikrofonat e Supersport, ku përveç ndeshjes së luajtur, u ndal edhe për ndeshjen e ardhshme që do të luhet kundër Spanjës.
Mavraj, duke e cilësuar Spanjën si një kundërshtar shumë të fortë, tha se duhet të jenë të vëmendshëm maksimalisht, për të mos humbur kontrollin e ndeshjes, sikurse e humbi Kosova në përballje me Kroacinë.
“Ne nuk frikësohemi nga asnjë skuadër. Shumë njerëz do vijnë në stadium për të ndjekur Moratën dhe Ramosin, por ne duhet ta kthejmë vëmendjen te çunat tonë. Kemi treguar që i krijojmë vështirësi ekipeve të forta por na duhet dhe pak fat sepse mund të bllokosh Moratën për shembull, por të vijnë 3-4 kundërshtarë të tjerë dhe nuk i mban dot të gjithë.
Në këtë ndeshje nuk testohet vetëm mbrojtja, por gjithë ekipi dhe bashkë me tifozët, pasi siç i ndodhi Kosovës me Kroacinë mund ta humbim dhe ne kontrollin e ndeshjes. Gjithsesi jam optimist se do ia dalim.”
Pas dy ndeshjeve të zhvilluara, Shqipëria kryeson në grup, duke u renditur para Spanjës dhe Italisë.
Ndeshja Shqipëri-Spanjë do të luhet më 9 tetor në stadiumin Loro Boriçi në Shkodër.