MEMO
Danimarka, kampionja “e ftuar” e EURO’92
1 July, 2021 @19:42
Aktualisht, është duke u mbajtur “UEFA EURO-2020”, ku dhe ka përfunduar faza e 1/8 e finales dhe ndeshjet të cilat do të luhen në çerekfinale janë: Zvicër-Spanjë, Belgjikë-Itali, Republikë Çeke-Danimarkë, Ukrainë-Angli.
Por, jo çdo herë tifozët janë mësuar të shohin këto përfaqësuese në çerekfinale. Shembull, Ukraina e Zvicra janë parë si befasi, duke arritur për herë të parë në tetëshën më të mirë të Evropës.
E njëjta gjë nuk mund të thuhet për Danimarkën, e cila në vitin 1992 ishte shpallur kampione e kësaj gare.
Danimarka nuk kishte arritur të kualifikohej në “Euro-1992”, në Suedi, por, UEFA përkundër kësaj, për shkaqe politike, i kishte bërë një ‘dhuratë’ të çmueshme Danimarkës, e cila nuk mund të refuzonte e as të mendohej dy herë. Bëhet fjalë për ish-Jugosllavinë, e cila ishte diskualifikuar nga UEFA në momentet e fundit, dhe kësisoj Danimarka ishte ftuar të merrte pjesë në vend të saj.
“Unë duhet të isha duke lyer kuzhinën dhe atë moment më erdhi një telefonatë që na ftonte të shkonim në Suedi.”, kujton trajneri i atëhershëm i Danimarkës, Richard Moller.
Danezët e nisën me një barazim 0-0 me Anglinë, e pastaj u mundën nga organizatorët(suedezët)me rezultat 1-0. Por, kjo nuk përfundon me kaq. Ata e fituan besimin pas fitores me Francën e Platinisë në ndeshjen e fundit në Grupin 1, duke prerë biletën për gjysmëfinale si vendi i dytë i grupit, pas Suedisë.
Në gjysmëfinale, danezët përballë kishin kampionët në fuqi të Holandës , ndaj të cilëve Larsen shënoi dy herë, por Rijkard e dërgoi ndeshjen te penalltitë pas barazimit 2-2, katër minuta para fundi. Aty portieri Peter Schmeichel do të priste gjithçka në kohë shtesë. Gardiani ndali edhe penalltinë e Van Basten-it, për ta dërguar ekipin në finalen e Göteborgut.
Më 26 qershor të 1992-shit, as “pancerët” e Berti Vogstit nuk do ta ndalnin ëndrrën të bëhej realitet. Në finale Danimarka kaloi 2-0 Gjermaninë favorite me golat e Kim Vilfort dhe John Jensen.
Ky ka qenë suksesi më i madh i futbollit danez i arritur ndonjëherë dhe me këtë ishte vërtetuar se befasitë në futboll janë gjithmonë të mundshme.