KOMBËTARJA

Kush është gjyqtari i ndeshjes?
7 June, 2013 @12:47
Quhet William Collum, 34 vjeçar dhe i lindur në Skoci.
Këto janë informacionet bazë të njeriut i cili do ta udhëheqë sonte ndeshjen ndërmjet Shqipërisë dhe Norvegjisë në stadiumin Qemal Stafa, që është e vlefshme për eliminatoret e Botërorit Brazil 2014.
Collum kurrë më parë nuk ka drejtuar ndonjë ndeshje të Shqipërisë. Mirëpo e njëjta gjë nuk mund të thuhet edhe për përfaqësuesen e Norvegjisë.
Gjyqtar me fat për norvegjezët!
Dy vite më parë, gjatë ndeshjeve kualifikuese për kampionatin europian, skocezi ka qenë gjyqtari i parë i ndeshjes Norvegji - Qipro, ku të dyja nga këto skuadra tani janë pjesë e grupit E së bashku me Shqipërinë.
Atë ndeshje, e cila ishte e fundit për fazën grupore, Norvegjia e kishte fituar me rezultat 3-1, mirëpo kjo fitore nuk kishte pasur shumë rëndësi pasi që norvegjezët nuk arritën ta kalojnë grupin.
Përveç kësaj, Collum ka referuar edhe një ndeshje tjetër të Norvegjisë dhe përsëri këta të fundit kanë shënuar fitore. Ishte ndeshja miqësore e vitit 2009 kundër Afrikës Jugore kur ‘vikingët’ fituan me rezultat minimal 1-0.
Sonte Shqipëria do të mundohet ta mposhtë Norvegjinë, e cila asnjëherë më parë nuk është ndarë kokulur nga fusha derisa takimi është gjykuar nga skocezi në fjalë.
Collum si asistent sonte do t’i ketë bashkëkombasit e tij, William Conquer dhe Martin Cryans, derisa gjyqtari i katërt do të jetë Bobby Madden, po ashtu nga Skocia.