GENTIANA FETAJ
Lë Gjermaninë për t’iu bashkuar Kosovës
Teksti: FFK
15 November, 2021 @19:45
Futbollistja e talentuar që jeton në Gjermani, Gentiana Fetaj do të jetë pjesë e Kombëtares së Kosovës. 19-vjeçarja po zhvillon një karrierë të bujshme në Gjermani dhe vlerësohet si një futbolliste tejet e talentuar. Ajo deri më tash ka luajtur në të gjitha grupmoshat e Kombëtares së Gjermanisë (U15, U17, U19).
Ndërmjetësues në ardhjen e kësaj futbolliste në kombëtaren dardane ishte gjyqtari i njohur dhe bashkëpunëtori i FFK-së, Gani Musliu. Pas kontakteve të vazhdueshme me kryetarin Agim Ademi dhe bisedimeve të gjata me futbollisten dhe familjen e saj, është marrë vendimi që tash e tutje Gentiana ta përfaqësojë Kosovën.
Tani FFK në kohë sa më të shpejtë që është e mundur do ta përgatisë dokuementacionin e nevojshëm për pajisje me pasaportë dhe për licencim në FIFA. Ardhja e Gentiana Fetaj do t’i japë impuls Kosovës A për paraqitje sa më të mira në të ardhmen. Ajo luan në rolin e mesfushores dhe deri më tash ka regjistruar 23 ndeshje për ekipin e grupmoshave të Gjermanisë, derisa aktualisht është pjesë e Carl Zeiss Jena.