CANARIES
Norwich i Rashicës, zyrtarizon trajnerin e ri
15 November, 2021 @11:30
Trajneri që disa ditë më parë u shkarkua nga detyra e tij që e kishte te Aston Villa, Dean Smith, është emëruar trajner i ri i ekipit të Norwich Cityt në Premier Ligë.
Norwich City ka zëvendësuar kështu trajnerin gjerman Daniel Farke me Smithin, që mëton të nxjerrë skuadrën nga zona e rënies dhe t’ia sigurojë shpëtimin në Premier Ligë.
Pjesë e ekipit të kanarinave është mesfushori i krahut i Kosovës, Milot Rashica.
“Kanë qenë ditë me shumë zhvillime këto të fundit,” ka thënë fillimisht Smith, që u shkarkua më 7 nëntor nga Aston Villa.
“Jam me të vërtetë i kënaqur që do t’i kthehem shpejt punës në Premier Ligë me Norwich Cityn. Detyra jonë [me ndihmësin: Craig Shakespeare] do të jetë që të përmirësohemi dhe me qëllim përfundimtar, shpëtimin e stinorit në Premier Ligë,” ka thënë ndër të tjera ai.
Kanarinat janë të fundit në renditjen e Premier Ligës me një fitore të vetme të arritur pas 11 ndeshjeve të zhvilluara dhe kanë vetëm pesë pikë të fituara deri tash.
Zona e shpëtimit, aktualisht është pesë pikë larg.