Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

FSHF

Letra e Dukës në rifillim të stinorit

Letra e Dukës në rifillim të stinorit


3 June, 2020 @14:24

Përmes një letre botuar në llogarinë e tij në Facebook, kreu i FSHF-së Armand Duka ka uruar rifillimin e futbollit në Shqipëri, me keqardhje për shkak të humbjeve ekonomike, mungesë të tifozëve etj.

Ai ka kërkuar që ekipet të respektojnë rregullat dhe protokollet shëndetësore ashtu që gjithçka të shkojë në rregull deri në fund të stinorit.

LETRA E PLOTË E DUKËS:

Të dashur futbollistë, tifozë dhe miq të futbollit!

Pas një periudhe të vështirë për të gjithë vendin, por edhe gjithë botën, për shkak të pandemisë Covid-19 më në fund futbolli rikthehet sot me rifillimin e kampionatit.

Kjo ndërprerje e menjëhershme e jetës sportive na ka dëmtuar, edhe ekonomikisht, por sigurisht dëmi më i madh ka qenë ai sportiv. Futbollistët e të gjitha niveleve, profesionistë, amatorë, fëmijët, nuk e kanë shumë të lehtë që të kapin të njëjtën formë sportive. Ndërprerja patjetër që ka lënë shenjën e saj dhe unë uroj ta kalojmë sa më parë, edhe pse jam i ndërgjegjshëm se nuk do të jetë e lehtë.

Edhe një herë përfitoj nga rasti t’u kujtoj të gjithë futbollistëve, zyrtarëve të klubeve dhe stafeve organizative që të jenë sa më të kujdesshëm e të zbatojnë rregullat e distancimit social dhe protokollet shëndetësore në lidhje me zhvillimin e ndeshjeve në këto kushte. Protokolle me të cilat të gjithë aktorët dhe faktorët janë njohur tashmë.
Unë jam i bindur, që ju dhe stafet tuaja, do të tregoheni të kujdesshëm në këtë drejtim, në mënyrë që gjithçka të shkojë sa më mirë.

Ndihem i keqardhur që ne nuk do të kemi mbështetjen e spektatorëve nëpër stadiume. Uroj që shumë shpejt masat kufizuese të lehtësohen dhe tifozët të kthehen në stadiume për të mbështetur skuadrat e tyre të zemrës.
Uroj nga zemra që kampionati të vazhdojë të na dhurojë sërish emocione, lojë të bukur dhe Fair-play.
Edhe një herë, urimet e mia më të mira për rifillimin e kampionatit!
Suksese të gjithëve!
Armand Duka


 
Të gjitha lajmet nga FSHF Kategoria Superiore