SUPERLIGA
Lideri në Drenicë, në duelin e të pamposhturve
4 September, 2015 @9:41
Dy skuadrat që nuk kanë pësuar ende humbje pas dy xhirove të para në Superligë, Drenica dhe Gjilani, do ta hapin xhiron e tretë me ndeshjen ndërmjet tyre që do të zhvillohet në Skenderaj.
I rikthyeri në Superligë, Gjilani, në dy përballjet e para të këtij stinori ka treguar formë të lartë, duke e mposhtur Dritën në derbin lokal me rezultat 3-0 dhe më pas Lirinë me rezultat 3-1, ndërsa tani do të provohet për herë të parë në fushën mysafire jashtë qytetit të Gjilanit.
Në anën tjetër, edhe pse Drenica shquhet si një skuadër që nuk lejon aq lehtë që pikët të ikin nga stadiumi i tyre, katër pikët e para që i ka tubuar deri më tani, i ka fituar në fushat mysafire, duke barazuar me Lirinë dhe duke e mposhtur Hajvalinë.
Këto fakte japin garancion se ndeshja e sotme nuk do të jetë aspak e lehtë dhe që të dyja skuadrat do të synojnë të marrin maksimumin e mundshëm nga ky duel.
ORARI I JAVËS SË TRETË NË SUPERLIGË.
Drenica-Gjilani është ndeshja e vetme që luhet sot dhe do të fillojë nga ora 17:00, derisa do të transmetohet drejtpërdrejtë edhe në Supersport.