EURO 2016
Holanda rrezikon kualifikimin
3 September, 2015 @22:55
Përfaqësuesja e Holandës ka marrë një tjetër goditje të rëndë në kualifikimet për Kampionatin Europian.
Finalistja e Kampionatit Botëror të vitit 2010, ka pësuar humbjen e tretë në kualifikimet për EURO 2016 duke u mposhtë kësaj radhe para tifozëve të vetë nga përfaqësuesja e Islandës.
Ishte mesfushori i Swanseat, Gylfi Sigurdsson, ai që vendosi gjithçka në këtë ndeshje, duke e shënuar golin e vetëm në minutën 51’ për t’ia siguruar fitoren ekipit të tij.
Për të mos mjaftuar me kaq, Holanda mbeti e hendikepuar pa yllin e saj, Arjen Robben, i cili u lëndua në minutën 31’ të ndeshjes dhe nuk e ka të sigurtë nëse do të luajë pas tre ditësh në ndeshjen kundër Turqisë.
Holanda në këtë ndeshje nga minuta 33’ luajti me një lojtar më pak për shkak të kartonit të kuq të mbrojtësit Martins Indi.
Pas shtatë xhirove të zhvilluara në grup, Holanda renditet e treta me vetëm 10 pikë, 8 më pak se lideri Islanda, dhe 6 më pak se Republika Çeke që është e dyta.