FERIZAJI FITON
Lideri nuk gabon ndaj 2 Korrikut
Teksti: 2korriku.com
28 April, 2024 @21:47
Në vazhdën e “luftës” sportive në Raiffeisen Ligën e Parë, 2 Korriku i ka shkuar në “konak” liderit të grupit “B”, Ferizajt. Pikërisht në shtëpinë e “ferizajasve”, sot u pa ndeshje fantastike me plot gjashtë gola të shënuar, që në fund fitoren ia dhanë vendësve.
Ndeshja e zhvilluar para qindra shikuesve e në mot jashtëzakonisht të mirë për lojë, prodhoi gjithçka që një ndeshje futbolli mund të prodhoi, duke nisur nga rastet diskutabile e deri tek goli nga penalltia.
Për 2 Korrikun takimi filloi si mos më keq; pa kaluar gjashtë minuta të plotë, vendësit e panë veten në avantazh prej dy golave, të shënuar nga sulmuesi Betim Haxhimusa e “dushi” i ftohtë sikur e këndelli skuadrën kryeqytetase, që nisi ta marrë veten e të dalë në raste shënimi.
Rreziqet e para për portën e vendësve erdhën nga dyshja sulmuese, Ardit Gashi e Enes Duraku, që me goditjet e tyre nuk e arritën cakun – golin. Pas tyre, rrezik pati edhe nga anësori Gustavo, që u fut bukur nga e djathta, por goditja e tij ishte e lehtë dhe qëndrore për Jovanoskin.
Në minutën 33’, Sadriu i vendësve e pa veten të futur në zonë e në rast të mirë shënimi, por që u ndalë nga portieri Ajeti, me topin që në fund iu takoi mysafirëve dhe nuk pati rivënie këndore.
Deri në fund të fraksionit të parë, 2 Korriku tentoi edhe dy herë, me Zeçirin e Durakun, dhe vetëm rasti i të dytit rezultoi i suksesshëm, me ç’rast edhe u shënua goli për ngushtimin e epërsisë.
Goli thënë të drejtën i dha shumë ndihmë ekipit të drejtuar nga Besim Ademi, sepse në pjesën e dytë u fut shumë më i motivuar, gjë që u vërejt sidomos në dominimin e madh tek rastet e krijuara, të cilat thënë të drejtën nuk kishin qenë më të shumta në numër në asnjë prej ndeshjeve të kaluara të këtij edicioni; përmendim këtu goditjet dhe rastet e shtatgjatit Gashi, devijimin e mbrojtësit vendës që përfundoi në shtyllë, goditjen nga afërsia të Zeçirit, goditjen e Kelmendit nga vija e gjashtëmbëdhjetë-metërshit dhe sërish gjuajtjen e Kelmendit nga afro tridhjetë metra largësi që u ndalë nga i disponuari për lojë, Jovanovski.
Gjithsesi, me tërë këto raste të humbura, veç pritej kur Ferizaj do ta dënonte 2 Korrikun, sepse ashtu e thotë edhe vet ligji i pashkruar në futboll, se kur nuk shënon, medoemos pëson. Kështu ndodhi; Haxhimusa i vetëm përballë Ajetit në minutën 82’ shënoi për 3-1, për t’u pasuar më pas me golin e të riut Erion Sadriu (89’) – të gjitha këto ndodhën si rrjedhojë e hapësirave të lëna mbrapa nga “verdheblutë” që ishin me fokus të plotë në sulm.
Pas këtyre golave, krejt çka arriti deri në fund 2 Korriku ishte goli nga penalltia i Ardit Gashit në minutat shtesë, njëmbëdhjetë-metërsh ky i fituar nga futbollisti Redon Bejta.
Kjo humbje ishte e dhimbshme për kampin kryeqytetas, sidomos për faktin se ekipi “luftoi” shumë, e mbi të gjitha dha shembullin konkret se si respektohet kampionati dhe loja fer deri në vërshëllimën e fundit të gjyqtarëve.
Kujtojmë se, deri në fund të garave për këtë edicion, 2 Korriku e pret në shtëpi Prishtinën e Re, si dhe i shkon si mysafir Vjosës në Shtime, kurse ndeshjen e fundit me Ulpianën në shtëpi nuk e zhvillon, sepse e njëjta regjistrohet me rezultat zyrtar, 3-0.
Raiffeisen Liga e Parë, Grupi ‘B’; Java e Njëzetekatërt
FC Ferizaj v. FC 2 Korriku 4-2
Golashënues: Betim Haxhimusa 2’ 5’ 82’, Erion Sadriu 89’; Enes Duraku 44’, Ardit Gashi 90’+3’ (pen.)
Gjyqtarët e ndeshjes: Dylot Brahimi (Mitrovicë), Imran Kabashi (Mitrovicë), Leotrim Azemi (Gjilan), Qendrim Vata (Ferizaj)
Delegat i ndeshjes: Naim Krasniqi (Pejë)
Vëzhguesi i i gjyqtarëve: Safet Berisha (Mitrovicë)
Formacioni startues i Ferizajt: Marko Jovanovski, Edon Sadriu, Filip Gligorov, Riste Temelkov, Arlind Shabani, Sokol Kiqina, Blend Topalli, Qlirim Avdulli, Betim Haxhimusa, Egzon Qerimi, Enhar Cakolli. Kryetrajner: Arsim Abazi.
U inkuadruan edhe: Albion Kurtaj 55’, Gentrit Ramusa 55’, Alush Gavazaj 84’, Ergon Hyseni 84’, Erion Sadriu 84’
Formacioni startues i 2 Korrikut: Arnis Ajeti, Granit Latifi, Abit Salihu /kap./, Olt Pllana, Jehon Stublla, Ideal Abdullahu, Edon Zeçiri, Gneilpekan Marius Camara, Enes Duraku, Ardit Gashi, Gustavo H. S. Faria. Kryetrajner: Besim Ademi.
U inkuadruan edhe: Londrit Hamidi 68’, Shqiprim Kelmendi 68’, Andi Oruqi 81’, Ylli Prekopuca 86’, Redon Bejta 86’