FERRONIKELI MBETET LIDER
Lideri përmbyt Istogun kërkues
31 October, 2014 @15:11
Lideri i Superligës, Ferronikeli, ka arritur të përmbys epërsinë e Istogut për tu rikthyer në fund dhe të fitojë ndeshjen.
Ferronikeli i Gani Sejdiut do të qëndrojë sigurt edhe një javë në vend të parë të Superligës.
Lidershipi i sigurt
Ekipi drenicak që në xhiron e kaluar morri epitetin e liderit të Superligës, ka arritur që me fitore ndaj Istogut të papërshtatshëm për shumë skuadra, të sigurojë qëndrim në vend të parë pa marrë parasysh rezultatet tjera që do të shënohen nesër e pasnesër në Superligë.
Pjesa e parë ishte e qetë në Bajram Aliu sot, derisa me të filluar pjesa e dytë Granit Bajra i Istogut i dha epërsinë ekipit të Nazmi Ramës.
Rikthimi
Sidoqoftë, vendasit arritën të rikthehen shpejtë në ndeshje duke barazuar, derisa kah fundi i ndeshjes i la Troftat pa ujë duke ua marrë të tre pikët. Eminhaziri, Lladrovci dhe Livoreka, shënuan nga një gol për Ferronikelin, duke i siguruar fitoren e radhës.
Fitorja e shtatë
Kjo ka qenë fitorja e shtatë e Ferronikelit këtë stinor, me ç‘rast ata bëhen ekipi i parë këtë stinor që arrijnë këtë shifër të fitoreve për 13 ndeshje të zhvilluara deri më tani.
Në anën tjetër, Istogut, pozita e tetë në Superligë do t’i rrezikohet vetëm në rast të fitores së Vëllaznimit këtë xhiro, përndryshe mbeten aty edhe për një xhiro.
6 pikë nga Istogu
Ferronikeli ka mposhtur Istogun edhe në takimin e zhvilluar në Istog në fillim të stinorit me rezultat minimal 0-1. Atë ndeshje e kishte vendosur penalltia e realizuar nga Elhami Berisha dhe ka qenë fitorja e parë e drenicakëve në Superligë.
Në xhiron tjetër lideri udhëton në Pejë për tu ndeshur me Besën, derisa Istogu pret kampionin në fuqi.