FINALJA: KALAJA-LIPJANI
Lipjani kampion, drejt Superligës për histori
25 April, 2018 @21:20
KB Lipjani është anëtar më i ri i Superligës së Kosovës në basketboll.
Basketbollistët e ekipit të Lipjanit, përkundër se u mposhtën me tre pikë dallim nga KB Kalaja në Sezai Surroi të Prizrenit sonte, duke pasur avantazh 5 pikësh nga ndeshja e parë kanë siguruar titullin e kampionit të Ligës së Parë dhe biletën e parë në histori të klubit për Superligë.
Kalaja ishte shumë afër Superligës. Ekipi prizrenas nisi mirë ndeshjen me pikët e Edmond Kryeziut, që shënoi dy treshe për të nisur ndeshja me 8-0.
Lipjani u këndell dhe në fund të çerekut të parë semafori shkruante, 21-12 në të mirë të ekipit prizrenas, rezultat ky që e çonte në Superligë.
Njejtë, edhe pjesa e parë kur përfundoi, Kalaja ishte në epërsi 42-30, që gjithashtu i siguronte biletën për Superligë.
Mirëpo, në pjesë të dytë klubi lipjanas u këndell dhe me dy sulmet e dështuara në fund të prizrenasve, ata ulën epërsinë në 73-70 për të siguruar për herë të parë në histori të klubit Superligën.
Më pas, Lipjani çoi trofeun e Ligës së Parë dhe filloi festa që zgjati deri vonë edhe në qytet ku tifozëria e klubit festoi bashkë me lojtarët titullin dhe inkuadrimin në Superligë.