POTEZI
Liria kërkon leje për “Liria B” nga FFK
26 August, 2015 @18:55
Pasi që ka numër të madh të futbollistëve në dispozicion si dhe numrin në rritje të talentëve, Liria ka kërkuar nga FFK-ja që t’ua miratoj krijimin e ekipit B, që do të merrte pjesë në rangun më të ulët të garave të organizuara nga FFK, përkatësisht Liga e Dytë.
Aty do të mund të luanin edhe juniorët, por edhe futbollistët që kanë kaluar këtë moshë dhe nuk kanë vend në ekipin e parë të skuadrës bardhezi nga Prizreni.
“Liria ka kryer licencimet e lojtarëve dhe pret që FFK t’ia miratojë kërkesën, ashtu që Liria të fillojë punën me ekipin Liria B,” ka shkruar në njoftimin e botuar nga ekipi bardhezi pak më parë.
Nën menaxhimin e kryetarit Mirsad Çollaku, Liria ka filluar të bëj investime të duhura në skuadër dhe kërkesa e tillë tregon serioziten e drejtuesve bardhezi para pranimit ndërkombëtar të futbollit kosovar.
Një model i tillë i ekipeve aplikohet në futbollin spanjoll, ku ekipet e mëdha si Real Madrid dhe Barcelona aty zhvillojnë lojtarët e rinj dhe ata që nuk kanë vend në ekip të parë. Shembull konkret është edhe zhvillimi i trajnerëve të rinj, ku aktualisht te Real Madrid B, këtë punë e kryen legjenda e futbollit botëror, Zinedine Zidane, që po kalitet në zanatin e ri. Të njejtën gjë më parë e ka bërë edhe Barcelona me Luis Enriquenë, që pas viteve kalitjeje te Barcelona B dhe aventurave tjera, tash është pjesë e ekipit të parë të klubit dhe ka fituar Champions League.