Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

LIRIA MBETET NË BARAZH

Liria s’arriti fitore, Superligën duhet ta kërkojë përsëri përmes barazhit

Liria s’arriti fitore, Superligën duhet ta kërkojë përsëri përmes barazhit


21 May, 2023 @20:29

Ekipi i Rilindjes 1974 është treguar shumë i fortë për Lirinë sot në Shahin Haxhiislami të Pejës, derisa ekipi i drejtuar nga Fisnik Papuqi ka qenë luftarak përkundër se prizrenasit po shpresonin në fitore të ekipit të tyre dhe humbje të Feronikelit’74 për të arritur Superligën në mënyrë direkte.

Por kjo s’ndodhi. Endrit Binakaj shfrytëzoi gabimin e mbrojtjes së Lirisë për t’i dhënë epërsi ekipit të vetë, ndërsa Liria me ngulm tentonte të barazonte, por rastet shkonin në pakthim.

Pas një faulimi të cilësuar si penallti ndaj Prins Tjiuezës, Liridon Fetahaj pa goditjen e tij nga 11-metërshi të pritur nga portieri i Rilindjes 1974. Referi anësor me pretekst të daljes së parakohshme të portierit nga vija e golit, përsëriti penalltinë. Fetahaj përsëri shutoi, por gardiani i Rilindjes’1974 përsëri mbrojti penalltinë!

Sidoqoftë, këto dështime të Fetahajt nga penalltia në minutën e 42 të ndeshjes u harruan shpejt, pasi që përmes një kombinimi para zonës, Prins mori topin për ta gjetur këndin e djathtë të poshtëm të portës së vendasve, për të barazuar rezultatin para pushimit të pjesëlojëve.

TABELA PËRFUNDIMTARE

Në pjesë të dytë, asnjë nga tentimet e Lirisë nuk gjeti rrjetën e golit kundërshtar, ndërsa ekipi pejan seriozisht rrezikoi me kundërsulme, derisa Drilon Hodaj në disa raste shpëtoi ekipin nga disfata, për tu mbyllur dueli me rezultatin përfundimtar, Rilindja’1974 1-1 Liria [Endrit Binakaj 13 — Prins Tjiueza 45].

Liria kështu, përfundoi e dyta në Ligën e Parë Grupi A (njëjtë sikurse në stinorin e kaluar) dhe tashmë do të duhet të luajë duelin e barazhit me vendin e dytë të Ligës së Parë Grupi B, Ulpiana. Fituesi i duelit Liria-Ulpiana (27 maj, 15:00, “18 qershori” Klinë) do të luajë barazhin tjetër ndaj ekipit që përfundon i teti në Superligë (Ferizaji ose Trepça’89).

Prizrenasit e drejtuar nga Xhengis Rexhepi këtë stinor, edhe pse tubuan më shumë pikë sesa vitin e kaluar, përsëri nuk arritën të sigurojnë Superligën direkt, pasi që përfunduan të dytit me 54 pikë nga 27 ndeshje, 3 më pak se Feronikeli’74 fitues i Grupit A. Në anën tjetër, Rilindja 1974 në stinorin debutues në Ligë të Parë (pasi që vitin e kaluar erdhi nga Liga e Dytë) ka arritur që me paraqitje solide të sigurojë mesin e tabelës, ndërsa sezonin e përfundoi në të shtatin vend, me 32 pikë nga 27 ndeshje. Kujtojmë, Liria edhe në stinorin e kaluar kërkoi Superligën përmes barazhit, por nuk e kaloi pengesën e parë Vushtrrinë, nga të cilët u mposht me penallti, kur ish-lojtari i tyre tash Viktor Kuka nuk kishte arritur të shënojë penalltinë. Më pas, edhe Vushtrria u eliminua, pasi që u mposht nga Malisheva në barazhin për Superligë.


 
Të gjitha lajmet nga FFK Liga e parë