KUPA e KOSOVËS: TREPÇA'89 1-2 LLAPI
Llapi, dy hapa pranë ëndrrës evropiane
18 March, 2021 @15:05
Llapi ka shënuar fitore në Mitrovicë ndaj Trepçës’89 dhe duke e eliminuar ekipin mitrovicas, i është afruar ëndrrës evropiane të proklamuar nga trajneri i tyre vite më parë, në dy hapa.
Trepça’89 e drejtuar nga Shpëtim Idrizi është mposhtur nga podujevasit 1-2 [Mohamed Darwish 72p. - Ahmed Januzi 8, Valmir Veliu 51] dhe është eliminuar në çerekfinale të Kupës së Kosovës, derisa ekipi i Tahir Batatinës ka siguruar biletën për gjysmëfinale të garës.
Llapi e nisi shumë mirë ndeshjen dhe me golin e shënuar nga sulmuesi Ahmed Januzi në fillim të saj ka mbajtur në kontroll ndeshjen përgjatë pjesës së madhe të 45-minutëshit të parë të lojës.
Përkundër kësaj, mitrovicasit gjetën rrugën e golit, por për shkak të pozicionit jashtë loje, u anulua, e deri në fishkëllimën e gjyqtarit kryesor për pushim 15-minutësh ishte qetë kryesisht, pa raste të rrezikshme.
Në pjesë të dytë, Llapi përsëri e nis mirë. Pas një rasti të Arbnor Ramadanit që u mbrojt nga Darko Tofilovski, Llapi shënoi me Valmir Veliun, që u asistua nga golashënuesi i golit të parë të ndeshjes.
Idrizi urdhëroi lojtarët që të luajnë me më shumë presion dhe shpejt erdh goli. Robert Rrahmani së pari tentoi për mitrovicasit, rast që u mbrojt nga portieri i llapjanëve Ante Coric, por që në sulmin tjetër erdh goli.
Mohamed Darwish ka qenë shënues për Trepçën’89, që dha gol në minutën e 56 të ndeshjes, pas penalltisë së shkaktuar nga mysafirët. Më pas rast tepër të mirë për të gjelbërit kishte Nikson Memaj, që u prit nga Coric.
E deri në fund të ndeshjes më s’kishte gola dhe kështu me përfundimtaren 1-2, Llapi siguroi gjysmëfinalen e garës.
Në gjysmëfinale, pos Llapit deri tash biletat i kanë siguruar edhe Prishtina e Dukagjini. Ndërsa tjetra biletë është duke u luftuar nga Istogu e A&N që kanë çuar ndeshjen në vazhdime aktualisht.