LLAPI - VËLLAZNIMI

Llapi fiton dhe ruan kreun
23 September, 2017 @15:22
Në takimin e parë të ditës në Superligë, Llapi ka arritur ta mposhtë me rezultat 2-0 skuadrën e Vëllaznimit, rezultat i cili bën që Llapi ta kalojë ndeshjen e pestë pa pranuar gol nga 6 xhirot e para.
Përkundër startimit me një formacion ofanziv, skuadra e Llapit nuk e pati as edhe një rast konkret për shënim në pjesën e parë, derisa goli i epërsisë i shënuar nga Mirlind Daku erdhi pas një gabimi të portierit Altik Muhaxhiri, i cili befasisht e lëshoi topin nga dora dhe me portën e zbrazur Daku shënoi për 1-0. Në anën tjetër, Vëllaznimi pati posedim më të madh të topit në pjesën e parë, mirëpo raste konkrete nuk pati dhe pjesa e parë u mbyll 1-0.
Sa i përket statistikave personale, ky ishte goli i tretë i sezonit për Mirlind Dakun, i cili tashmë ndodhet në krye të top golashënuesve bashkë me Fetim Kasapin e Besës.
Me të filluar pjesa e dytë, gjakovarët e goditën shtyllën horizontale përmes goditjes së Lorik Rudit, mirëpo shpresat për ta gjetur barazimin u shuan pas golit të kapitenit Hamdi Namani, i cili i dha vendasve epërsi të dyfishtë përsëri pas një dekoncentrimi të mbrojtjes vendase dhe fitorja e Llapit u vulos.
Kjo fitore e mban në krye të klasifikimit Llapin me 14 pikë, derisa për Vëllaznimin kjo është humbja e dytë sezonale pas asaj nga Drenica.
Xhiron e ardhshme, që zhvillohet në mesjavë, Llapi i shkon Trepçës ‘89 në Mitrovicë, kurse Vëllaznimi e pret Besën në Gjakovë.