ANALIZË
5 për vikend
Shkruan: LUAN MORINA
23 September, 2017 @9:06
Dy super-duele në Spanjë që pritet të sjellin ndeshje interesante, mundësia e kthimit për Leicesterin dhe Liverpoolin si dhe derbi i Stambollit mes shqiponjave dhe kanarinave.
Atletico – Sevilla (e shtunë, ora 1)
Duken si të vetmet ekipe që mund të sfidojnë dyshen klasike spanjolle. Por, jo këtë vit. Sevilla në fakt gjithnjë do të mbetet një hap larg të dyjave për faktin se së fundmi është shndërruar në një ekip eksportues dhe mbi të gjitha riciklues i lojtarëve që vijnë në pensionim dhe të dështuar në Premier League.
Atleticos i nevojitet një sulmues shënues dhe atë do ta kenë me gjasë në janar, kur edhe do të kthejnë ata që kanë blerë e huazuar. Deri atëherë në rast se mbajnë një distancë të ngushtë me kreun mund të shpresojnë në gjithçka. Kanë njërën ndër mesfushat më të talentuara në Evropë, e as mbrojtja nuk mbetet keq. Me një qendërsulmues të mirë, bëhen të përkryer. Ndërkohë Sevilla do të luftoj për pozitën e katërt.
Leicester City – Liverpool (e shtunë, ora 6e30)
Fitorja e ish-kampionëve në Carabao Cup të martën s’do të thotë gjë. Ajo që do të thotë diçka është realizimi i Kloppit që mbrojtja e Liverpoolit kutërbon. Dhe më e keqja në krejt këtë është që shumëkush e ka cekur këtë shumë kohë më parë. Nëse mbrojtja nuk përmirësohet me transferime, atëherë si? Reds po humbin pikë aty ku ekipet e Manchesterit po fitojnë bindshëm.
Leicester në mesjavë përdori emra të vyeshëm për rotacionin e ekipit. Pjesa e epërme mbetet prioritet. Kundër ekipeve të mëdha këtë vit kanë qenë të mirë – kundër Arsenalit; dhe të dominuar – nga Chelsea. Me gjasë me Liverpoolin do ta kenë më lehtë për shkak të qasjes konstruktive të lojës nga ana e Kloppit.
Fenerbahce – Besiktas (e shtunë, ora 6e30)
Feneri nuk ka nisur kampionatin si është më së miri. Problemet në portë do ti ndjekin për shumë vite. Të gjithë ato ekipe që kanë portierë turq. Por, në derbi janë të mirë së fundmi. Janssen ka debutuar mirë, e Valbuena po tregohet më i suksesshëm se sa në ligën ruse në kohën e tij.
Megjithatë Besiktas ka një ekip të shkëlqyeshëm, e mbi të gjitha një trajner të zotin. Por, nuk janë krejt të kompletuar e në formë së fundmi, përkundër rezultateve. Lufta në dy fronte do ti dëmtoj ata këtë sezon.
Juventus – Torino (e shtunë, ora 15n9)
Derbi torinez vitin e ardhshëm mund të jetë edhe më i barabartë. Kjo pasi me 100 milionët eventual nga Belotti – Monaco me gjasë; Cairo mund të sjell dy-tre lojtarë të mirë për ti vënë ballë Juventusit dhe të tjerëve. Edhe tashti mund të ndodh kjo, por paksa është vështirë.
Juventusi është nivele më lartë se krejt ekipet e Serie A. Dybala është në formë madhështore këtë sezon. Nuk kanë pasur shumë ndryshime në formacion, dhe pothuajse të paprekur. Në anën tjetër Torino ka bërë disa zëvendësime, ka afruar talente që do ti dëgjoni gjatë këtij sezoni, por shkëlqimi kundër Juventusit duket të jetë pak i hershëm për ta.
Sociedad – Valencia (e diel, ora 15n9)
Sociedadi befasoi me humbjen nga Levante. Megjithatë Enis Bardhi me ekip ka bërë shumë befasia këtë sezon. Rikthimi i këtyre dy ekipeve në ditët e tyre të jehonës është gjëja më e bukur për futbollin spanjoll. La Ligës i duhet një luftë më e hapur për pozitën e katërt së paku. Me tri-katër ekipe në luftë, edhe beteja për pozitën e gjashtë e shtatë nxehet.
Që të dy ekipet kanë bërë prurje të mençura gjatë kësaj vere. Gjynah që mungon Diego Llorente tek Sociedadi. Por, së fundmi po aktivizohet ditë e më shumë Adnan Januzaj. Një arsye më shumë ndoshta për ta parë këtë ndeshje.