SUPERKUPA: PRISHTINA - LLAPI
Llapi mposhtë kampionin, fiton Superkupën
17 August, 2021 @23:18
Në ndeshjen e Superkupës, ku një ditë më parë nuk kishte bileta në shitje, ndërsa sot u bë mish-mash në hyrje, Llapi kapi trofeun e dytë në histori të klubit.
Fituesi i Kupës së Kosovës, Llapi, duke e mposhtur kampionen e Superligës, Prishtinën, pas vazhdimeve me rezultat 1-3, e fitoi edhe Superkupën e Kosovës.
Dy zëvendësuesit e futur në lojë nga Tahir Batatina kanë qenë vendimtar te Llapi. Njëri barazoi rezultatin për të çuar ndeshjen në vazhdime, ndërsa tjetri i dha avantazhin ekipit në vazhdime, derisa ky i pari vulosi krejt në fund fatin e takimit.
Pjesa e parë e ndeshjes përfundoi pa gola, por me një karton të kuq, ku u ndëshkua Endrit Krasniqi i Prishtinës.
Prishtina me 10 lojtarë shënoi golin e parë në minutën e 66’ me Oto John, më pas në minutën e 72’ u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë edhe Arbnor Ramadani dhe u përjashtua nga loja.
Llapin e shpëtoi Festim Alidema, që shënoi nga penalltia në minutën e 86’ dhe e dërgoi ndeshjen në vazhdime.
E në vazhdime Llapin e kaloi në epërsi Valmir Veliu, i cili shënoi në minutën e 102’ të ndeshjes dhe ia afroi Superkupën Llapit.
Pas Veliut, epilogun e ndeshjen e përcaktoi Festim Alidema, duke shënuar përsëri nga pika e bardhë në minutën e 114’.
Te Prishtina u ndëshkua me karton të kuq edhe portieri Betim Halimi në minutën e 107’.
Pas Kupës së Kosovës, Llapi e fitoi edhe Kupën e dytë në histori të klubit.
Në këtë ndeshje, zyrtarisht për herë të parë u përdor sistemi VAR, ndërsa gjyqtari kryesor i takimit, Dardan Çaka, përjashtoi tre lojtarë, Endrit Krasniqin e Betim Halimin te Prishtina dhe Arbnor Ramadanin te Llapi.
Kurse FFK-ja, pas lëvdërimeve për mundësimin e VAR-it, kishte përgatitur edhe fishekzjarrë për të inauguruar sistemin në fjalë.