MIQËSORJA
Lojë e mirë dhe humbje në fund
18 November, 2014 @22:44
Miqësorja e parë dhe historike, ndërmjet Italisë dhe Shqipërisë, përfundoi me fitoren e Azzurrëve të udhëhequr nga Antonio Conte.
Goli i vetëm u shënua nga Stefano Okaka në 10 minutëshin e fundit të lojës, top ky që u devijua nga Hamdi Salihi për të përfunduar në portën e Etrit Berishës së mrekullueshëm sonte.
Shqipëria tregoi lojë tejet të mirë, derisa në 45 minutat e para u mbrojt dhe tentoi me kundërsulme, kur qëlloi edhe shtyllën përmes Sokol Cikalleshit, në pjesën e dytë nxënësit e Gianni De Biasit morrën iniciativë dhe me disa presingje ishin afër golit, por pa sukses.
Etrit Berisha ka bërë punë të hatashme sonte në Marassi, duke mbrojtur pjesën më të madhe të shutave që vinin kryesisht nga Seb Giovinco dhe Alessio Cerci, që shëtiste nëpër krah të majtë.
Gjysmorëshi i fundit i lojës kaloi me ndërrime të shumta nga të dyja palët dhe koncepti i lojës ra, derisa të dyja përfaqësueset luanin hapur dhe më shumë u varën nga cilësitë individuale të lojtarëve.
SHQIPËRIA ndaj Italisë:
11-shja e Shqipërisë: 1. Berisha, 15. Mavraj, 2. Lila, 4. Hysaj, 5. Cana, 7. Agolli, 13. Kukeli, 22. Abrashi, 3. Lenjani, 16. Cikalleshi, 14. Memushaj. Zëvendësuesit: 21. Roshi për Kukelin 67', 24. Shala për Abrashin 71', 17. Ajeti për Hysajn 74', 18. Salihi për Cikalleshin 78', 19. Balaj për Lenjanin 86', 10. Rama për Lilën 90'. |