DERBY DELLA MOLE
Magjia e Pirlos vendos derbin
30 November, 2014 @20:26
Një magji e Andrea Pirlos në sekondat e fundit të ndeshjes ka bërë që Juventus të dalë fitues në derbin e qytetit, ndaj Torinos, 2-1.
Në momentet kur Torinoja mendoi se e nxorri pikën, në skenë doli veterani dhe njeriu më me përvojë sot në futbollin italian - që vendosi gjithçka sa i përket Derby della Moles.
Juventus erdhi në epërsi përmes penalltisë së Arturo Vidalit, derisa Bruno Peres i Torinos u kundërpërgjigj 7 minuta më vonë me një vrap të pandalshëm kur qëlloi portën e Marco Storarit.
12 minutat e fundit ekipi kampion i Italisë, i luajti pa Stephan Lichtsteinerin që u ndëshkua me të verdhën e dytë - por kjo nuk i pengoi bashkëlojtarëve që me 10 veta të dalin fitues në ndeshje.
Torino ka shënuar për herë të parë në derbin e qytetit që nga viti 2002, derisa nuk ka mposhtur Juventusin që nga prilli i vitit 1995.