PAS NDESHJES
Malinkov: Ka qenë vendim të mos luajnë amerikanët
8 April, 2021 @0:01
Sigal Prishtina u mposht në përballjen e parë të saj në histori të Ligës Unike dhe u eliminua nga gara.
Ekipi bardhekaltër nuk arriti t’i bëj ballë Golden Eagle Yllit, ndërsa mungesa e amerikanëve të skuadrës së Prishtinës duket se ishte vendimtare në këtë përballje.
E trajneri i ekipit të Prishtinës, Ljupcho Malinkov, ka bërë të ditur se pse nuk luajtën amerikanët në këtë ndeshje.
“Ka qenë vendimi i Bordit dhe i imi që të mos luajmë me lojtarët e huaj në këtë ndeshje. Kemi qenë tejet të mirë për 20-minutat e para të lojës, por në çerekun e tretë ramë nga loja dhe më pas nuk shkoi mirë,” ka thënë ndër të tjera Malinkov pas ndeshjes.
Ndërsa në pyetjen se mos ndoshta amerikanët e Prishtinës u kursyen për përballjen finale të stinorit të rregullt të Superligës ndaj Bashkimit, Malinkov është përgjigjur duke pohuar.
“Po. Luajmë ndaj Bashkimit. Është ndeshja e stinorit për ne. Duhet të fitojmë patjetër atë ndeshje, ngase ende jemi në rrezik. Situata është e tillë. Kemi 3 ditë për përgatitje dhe duhet të japim maksimumin që të shpëtojmë dhe të shpresojmë,” ka shtuar trajneri maqedonas i bardhekaltërve.
E sa i përket Ligës Unike ai ka thënë që përkundër respektit për këtë garë, Superliga është koncentrimi kryesor i klubit për momentin, ngase nuk guxojnë të rrezikojnë më shumë.
“Respektojmë këtë ligë. Por synimi është Superliga. Kështë ka qenë vendimi im dhe i Bordit për këtë lojë,” ka thënë në fund ai.
Prishtina pësoi 70-87 nga Golden Eagle Ylli në çerekfinale të Ligës Unike dhe u eliminua nga gara e mëtutjeshme. Bardhekaltërit duhet të fitojnë patjetër në xhiron e fundit të Superligës për të siguruar mbijetesën në Superligë përmes PlayOutit, ndërsa varësisht nga rezultati i Trepçës, ata mund të shkojnë edhe në PlayOff.